Shqipëria Postuar më 21 Prill 2025, 11:04

Shkodra, 793 terminale të reja POS në 2024 - Në cilat rajone po nxiten më tepër pagesat elektronike? BSH: Tirana, rritjen më të vogël

Nga Ledina Elezi

Shkodra, 793 terminale të reja POS në 2024 - Në cilat rajone po

Bizneset e Shkodrës dhe të Lushnjes janë ato që kanë instaluar më shumë terminale POS në 2024. Megjithëse Tirana ka numrin më të madh të këtyre terminaleve, kjo dhe për shkak të përqendrimit më të madh të bizneseve në këtë rajon, Shkodra dhe Lushnja rezultojnë me rritjen më të lartë të POS-eve në krahasim me të gjitha rajonet e tjera të vendit.

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlerësuar me vitin 2023, në Shkodër dhe Lushnje ka pasur një rritje me përkatësisht 86% dhe 55% të POS-eve. Në rajonin e Shkodrës numërohen gjithsej 1711 terminale, ndërsa në atë Lushnjes rreth 832.

Nga ana tjetër, Tirana dhe Gjirokastra kanë pasur rritjen më të vogël të terminaleve POS në vitin që lamë pas. Pavarësisht kësaj, kryeqyteti vijon të dominojë me 18 mijë terminale POS. Kjo për arsye që lidhen me një ndërgjegjësim më të hershëm të bizneseve për të instaluar një pajisje të tillë, aftësisë për ta përballuar financiarisht, por edhe për shkak të ndërgjegjësimit dhe kërkesës më të lartë të qytetarëve, apo turistëve për të kryer pagesat me kartë në këtë rajon. Ndërkohë rajoni i Gjirokastrës renditet në vend të tretë.

Ky shtim i terminaleve POS është tregues i nxitjes së pagesave elektronike edhe në rajonet e tjera të vendit, përveçse në Tiranë. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në një hark kohor prej 5 vitesh ka pasur një rritje me 101% terminaleve POS në të gjithë vendin.

Terminalet POS thjeshtojnë procesin e shitblerjes, duke reduktuar kohën e pritjes për klientët dhe rritur efikasitetin e përgjithshëm. Për më tepër, sistemet POS mund të ndihmojnë në zvogëlimin e gabimeve njerëzore që lidhen me llogaritjet manuale. Instalimi i terminaleve të reja POS nxit pagesat elektronike, pasi i ofron qytetarëve më shumë mundësi për realizimin e blerjeve të tyre me kartë.

Pak javë më parë, kompania amerikane Mastercard prezantoi programin POSI, përmes të cilit do të shpërndahen 4750 terminale POS falas për tregtarët shqiptarë. Shpërndarja do të nisë nga 1 maji, ndërsa synimi është nxitja e pagesave elektronike, përfshirjes financiare dhe formalizimit të ekonomisë.

Ndërkohë, sipas Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, brenda 2025 synohet që të ulen komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve.

 

Sondazh

Poll
Bota 21 Prill

Vatikan: Ndahet nga jeta Papa Françesku!

Papa Françesku, udhëheqësi i parë i Kishës Katolike Romake në Amerikën Latine, është ndarë nga jeta, tha Vatikani në një deklaratë video të hënën, duke i......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat