Shqipëria Postuar më 16 Tetor 2025, 09:36

Shërbimet elektronike, me tarifa të reja - Për administratën publike, subjektet private dhe qytetarët

Nga Ernilda Luzi

Shërbimet elektronike, me tarifa të reja - Për administratën

Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave ka përcaktuar tarifat për shërbimet elektronike të ofruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për administratën publike, subjektet private dhe qytetarët.

Sa i përket institucioneve publike, nënshkrimi elektronik, vula elektronike, certifikata elektronike për fiskalizim dhe transaksione në platformën GG nuk do të kenë tarifa.

Ndërkohë, për subjektet private, nënshkrimi elektronik për 1 vit do të kushtojë 4 800 lekë, vulosja e dokumenteve dhe transaksioneve, 20 lekë, certifikata elektronike e fiskalizimit për 1 vit do të kushtojë 4 000 lekë dhe transaksioni në platformën GG, 15 lekë.

Për shtetas shqiptarë dhe të huaj, nënshkrimi elektronik për një periudhë kohore do të kushtojë 2 000 lekë.

Pagesa do të realizohet on-line përmes portalit e-Albania, dhe të gjitha të ardhurat derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

Portali e-Albania ka regjistruar rritje të aplikimeve. Gjatë muajit shtator janë kryer mbi 820.000 aplikime në pesë shërbimet më të përdorura. Nga këto, 295 mijë janë për certifikatë personale; mbi 239 mijë janë realizuar për certifikatë familjare; vërtetim për pagesën e kontributeve për individin janë rreth 130 mijë; kontributet për sigurimet shoqërore llogariten në 81.363 aplikime dhe mbi 77 mijë janë aplikime për vërtetim page.

E-Albania ka konsoliduar rolin e saj si portali qendror i shërbimeve publike në Shqipëri. Shërbimet elektronike 24/7, po ofrojnë zgjidhje të shpejta, pa nevojën për prezencë fizike në sportele, e gjithë kjo në funksion të rritjes së transparencës, dhe lehtësimit të procedurave administrative. Gjithashtu, kjo ka siguruar një proces modern, të standardizuar dhe të sigurt. Dokumentet zyrtare që gjenerohen në përfundim të aplikimit janë të pajisura me vulë elektronike, çka i bën ato të vlefshme dhe të verifikueshme nga çdo institucion publik apo privat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat