Shqipëria Postuar më 26 Janar 2026, 11:19

Shërbimet dhe ndërtimi do “udhëheqin” deri në 2029-ën/ Si projektohen shtyllat kryesore të ekonomisë, borxhi publik arrin në 50.2%

Nga Elisabeta Dosku

Shërbimet dhe ndërtimi do “udhëheqin” deri në

Qeveria shqiptare parashikon që të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë do vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike për periudhën 2027-2029. Referuar kuadrit makro-ekonomik fiskal të botuar në Fletoren Zyrtare,  specifikisht bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 0.2 % në vit në terma realë përgjatë kësaj periudhe, duke mos kontribuar pothuajse fare në rritjen ekonomike.

Industria parashikohet të ketë  një rritje mesatare vjetore prej rreth 2.6 % dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.2 %.

Ndërsa ashtu si dhe trendi aktual ndërtimi dhe shërbimet parashikohen me rritjen më të madhe. Konkretisht ndërtimi projektohet të ketë një rritje mesatare vjetore prej 3.1 % dhe kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.4%.

Shërbimet parashikohet të kenë rritjen mesatare vjetore më të lartë ndër sektorët e tjerë prej rreth 5.4 % dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 2.7 %.

Në përputhje me parashikimet afatmesme të rritjes, punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 0.1 % gjatë viteve 2027– 2029. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të  jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërkohë që trendet negative demografike (të vërejtura prej disa vjetësh tashmë) pritet të vijojnë të kenë efekte shtrënguese, si në ofertën për punë, ashtu edhe në numrat agregate të punësimit përgjatë periudhës afatmesme në vijim.

Përgjatë kësaj periudhe qeveria synon të ruaj konsolidimin fiskal, dhe gjithashtu një raport të balancuar dhe të qëndrueshëm të shpenzimeve buxhetore korrente dhe kapitale, ku investimet publike për periudhën 2027 –2029 do targetohen të jenë mesatarisht rreth 6.0 për qind e PBB-së në çdo  vit buxhetor. Kjo përfshin, gjithashtu, investimet e reja publike, të cilat mund të realizohen në kuadër të  Planit të Ri të Rritjes të implementuar nga Bashkimi  Evropian. Ky nivel i shpenzimeve kapitale tejkalon qartë deficitin e përgjithshëm fiskal të periudhës,  duke targetuar në këtë mënyrë në mënyrë konsistente një balancë fiskale korrente pozitive, në përputhje me “rregullën e artë” të buxhetit.

Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1.6 përqind të PBB- së për 2027-2029. Ndërsa borxhi publik bruto pritet të arrijë rreth nivelit prej 50.2 % të PBB- së deri në vitin 2029 nga rreth 54.1 për qind që pritet të rezultojë në 2025-ën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat