Shqipëria Postuar më 2 Shtator 2026, 10:08

“Shërbime të aksesueshme për të gjithë” - Drafti për personat me aftësi të kufizuar, gjoba bizneseve deri në 5 mln lekë

Nga Ernilda Luzi

“Shërbime të aksesueshme për të gjithë” -

Një projektligj i ri për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nisma synon të vendosë rregulla të unifikuara për aksesin në mallra dhe shërbime, duke përcaktuar detyrime konkrete si për institucionet publike, ashtu edhe për operatorët ekonomikë.

Në thelb të projektligjit është garantimi i pjesëmarrjes së barabartë të personave me aftësi të kufizuara në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore. Sipas relacionit, synimi është eliminimi i barrierave që pengojnë përdorimin e produkteve, shërbimeve, teknologjisë dhe informacionit.

Projektligji parashikon kërkesa të reja për një sërë produktesh që përdoren në përditshmëri. Në listë përfshihen kompjuterët dhe sistemet operative, terminalet e pagesave, bankomatet, makinat e biletave, terminalet interaktive të informacionit, pajisjet për komunikimet elektronike, pajisjet për akses në media audiovizive dhe lexuesit elektronikë.

Rregulla të aksesueshmërisë parashikohen edhe për shërbime të rëndësishme për qytetarët. Bëhet fjalë për komunikimet elektronike, shërbimet online dhe digjitale, tregtinë elektronike, shërbimet bankare, transportin e pasagjerëve, si dhe platformat dhe shërbimet që lidhen me librat elektronikë dhe mediat audiovizive.

Në rastin e transportit, kërkesat lidhen ndër të tjera me faqet e internetit dhe aplikacionet celulare, biletat elektronike, informacionin mbi udhëtimin, përfshirë informacionin në kohë reale, dhe terminalet interaktive të vetëshërbimit.

Sipas projektligjit, mallrat duhet të projektohen dhe prodhohen në mënyrë të tillë që të mund të përdoren sa më shumë nga personat me aftësi të kufizuara, në kushte të barabarta me të tjerët. Edhe paketimi dhe udhëzimet e përdorimit duhet të shoqërohen me elemente të aksesueshme.

Për shërbimet, ofruesit do të duhet të sigurojnë informacion të aksesueshëm mbi funksionet, politikat dhe procedurat e shërbimit, ndërsa mjediset ku shërbimi ofrohet duhet të përputhen me kriteret e aksesueshmërisë. Një përjashtim parashikohet për mikrondërmarrjet që ofrojnë shërbime.

Një aspekt i rëndësishëm i projektligjit lidhet me mbikëqyrjen dhe sanksionet. Në rast të shkeljes së detyrimeve, operatorët ekonomikë mund të përballen me gjobë deri në 5 milionë lekë ose, për shoqëritë tregtare  deri në 0.1% të xhiros totale vjetore të realizuar në vitin financiar paraardhës, duke u aplikuar vlera më e lartë.

Projektligji nuk kufizohet vetëm te aksesi në produkte dhe shërbime. Sipas draftit, personat që kanë nevojë për ndihmë në vendimmarrje do të mund të marrin mbështetje nga një individ ose grup individësh të besuar.

Po ashtu, personi me aftësi të kufizuara parashikohet të ketë të drejtë të zgjedhë dhe, sipas mënyrës së organizimit të shërbimit, të udhëzojë dhe të mbikëqyrë ndihmësin personal.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat