Shqipëria Postuar më 7 Nëntor 2025, 09:41

Shëndetësia, buxhet rekord 82 mld lekë - Më shumë akses, rimbursim dhe investime

Nga Fabjona Pasho

Shëndetësia, buxhet rekord 82 mld lekë - Më shumë

Shëndetësia merr peshën kryesore në projektbuxhetin 2026 me 82 mld lekë, rreth 2 mld lekë më shumë se një vit më parë. Fondet mbulojnë të gjithë zinxhirin e shërbimit, nga kujdesi parësor te ai spitalor, me një bosht politikash që synon rritjen e kosto-efektivitetit të listës së barnave dhe pajisjeve të rimbursueshme, në mënyrë që çdo lek të kthehet në rezultat shëndetësor për pacientin. Pagesa buxhetore për kontratën e check-up ulet në 2026 dhe ndërpritet pas këtij viti, duke liruar hapësirë për shërbime thelbësore.
Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndahet në zëra të veçantë: Përkujdesi Social zë 27.75 mld lekë, ndërsa Rehabilitimi i të Përndjekurve Politikë 1.55 mld lekë. Vetëm shëndetësia është 52.68 mld lekë, ndërsa 530 mln lekë I takojnë shpenzimeve administrative.
Fondi për rimbursimin e barnave në projektbuxhetin 2026 është i planifikuar me tavan 13.5 mld lekë. Në trevjeçarin 2026–2028 synohet mbulim universal dhe rritje e volumit të përdorimit të shërbimeve. Për 2026, parashikohen 379 mijë check-up dhe rreth 400 mijë pacientë me recetë rimbursimi; politika për diabetin mban të financuara fishat e matjes, me synim 59 mijë përfitues deri në 2028. Te shërbimet e specializuara, paketa e kardiokirurgjisë/kardiologjisë rritet gradualisht, ndërsa dializa shkon nga 217 mijë seanca në 2026 në 223 mijë në 2028; analizat për Sindromën Down parashikohen për mesatarisht 1,250 pacientë/vit me 6.05 mln lekë/vit, ndërsa fertiliteti financohet me 37.5 mln lekë/vit për rreth 200 çifte.
Dy ndërhyrje hyjnë për herë të parë në financim: rikonstruksioni i gjirit për rreth 350 gra/vit 70 mln lekë/vit dhe transplanti i kornesë për 50 raste/vit me 25 mln lekë/vit. Në parandalim, depistimi për kancerin e gjirit mbulon 5,000 gra/vit, ndërsa për kancerin e qafës së mitrës 12,500 gra/vit me 28 mln lekë/vit; vaksinimi sezonal i gripit synon rreth 300,000 persona çdo vit me 171 mln lekë/vit.
Në tërësi, paketa 2026 i vendos prioritet aksesit, parandalimit, barnave të rimbursueshme më kosto-efektive dhe investimeve që afrojnë shërbimin te pacienti. Për infrastrukturën spitalore, totali i projekteve të listuara arrin rreth 2.372 mld lekë vetëm për spitale/maternitete (2.985 mld lekë nëse përfshihet edhe rrjeti parësor; 3.330 mld lekë nëse shtohet edhe ISHP-ja), duke synuar modernizimin e kapaciteteve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat