Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2026, 14:42

SHBA, sisteme raketore Javelin për Shqipërinë - VanHorn: Teknologji shumë e avancuar. Vengu: Jo vetëm simbol force, por qartësie strategjike

Nga Ledina Elezi

SHBA, sisteme raketore Javelin për Shqipërinë - VanHorn:

Shtetet  e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Shqipërisë sistemin raketor Javelin në Komandën e Forcës Tokësore, si pjesë e bashkëpunimit strategjik midis dy shteteve.

Gjatë ceremonisë së mbajtur në Zall Herr, E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn, u shpreh se kjo lëvizje përmbush objektivin e Shqipërisë për mbrojte kolektive, e cila është e rëndësishme jo vetëm për mbrojtjen e Shqipërisë, por edhe për mbrojtjen kolektive të anëtarëve të NATO-s.

“Ditët e fundit kam mësuar shumë për sistemin Javelin, përfshirë edhe teknologjinë e tyre “gjuaj dhe harro” që i mundëson operatorëve të zhvendosen menjëherë pas gjuajtjes dhe aftësinë e tyre të sulmit nga lart që i lejon raketës të ngjitet lart dhe të zhytet në pjerrësi për të goditur. Nëntogeri ma shpjegoi shumë thjeshtë, këto sisteme janë vërtet shumë të jashtëzakonshme, falë teknologjisë së avancuar dhe aftësive të tyre mbreslënëse”, tha VanHorn. 

Sipas Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, me mbështetjen e SHBA dhe ndryshe nga vende të tjerë që investojë në kohë frike, Shqipëria ka zgjedhur të investojë për mbrojtjen në kohë paqeje.

“Ky sistem nuk është thjesht një simbol force dhe kapaciteti do thoja unë, është edhe një mesazh qartësie strategjike. Shqipëria siç e thashë ka zgjedhur të investojë në kohë paqeje, me qetësi, me plan, me disiplinë buxhetore, duke mirëkuptuar gjithashtu nevojën e një sakrifice buxhetore për të ardhmen. Sistemi Javelin është pjesë e kësaj filozofie, ku ne rrisim besueshmërinë, duke shkurajuar rreziqet me kapacitete reale”, tha ai.

Shqipëria nuk armatoset dhe nuk forcon kapacitetet e saj për të kërcënuar, por në mënyrë që askush të mos e vërë në provë ishin fjalët e fundit të Ministrit Vengu.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat