Shqipëria Postuar më 4 Gusht 2026, 10:46

SHBA ratifikon marrëveshjen e huasë me Shqipërinë - Nufi: Votë besimi strategjike dhe hap historik në modernizimin e mbrojtjes

Nga Fabjona Pasho

SHBA ratifikon marrëveshjen e huasë me Shqipërinë - Nufi:

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë në kuadër të programit Foreign Military Financing.

Sipas njoftimit zyrtar, financimi do të ndihmojë vendin në përmbushjen e angazhimit të miratuar në Samitin e Hagës për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Po sipas Departamentit të Shtetit, huaja do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, përmes sigurimit të kapaciteteve ushtarake me origjinë amerikane, ndërsa synon gjithashtu të forcojë aftësinë e Evropës për të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e saj.

Në deklaratë theksohet se Shqipëria, si aleate e NATO-s, ka qenë e harmonizuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

Pas këtij njoftimi reagoi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi marrëveshjen si një "votë besimi strategjike" të SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap të rëndësishëm në modernizimin e mbrojtjes së vendit.

“Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë.  Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, deklaron ministri Nufi.

Marrëveshja me SHBA-të u votua në Kuvend më 27 korrik dhe u dekretua më 30 korrik nga Presidenti Bajram Begaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat