Shqipëria Postuar më 8 Prill 2026, 11:54

Sfidohen çmimet e naftës, rritet sasia e zhdoganuar - Në Mars 2026, u importuan 56,9 mijë tonë karburante

Nga Elisabeta Dosku

Sfidohen çmimet e naftës, rritet sasia e zhdoganuar - Në Mars

Rritjen drastike të çmimit të naftës dhe benzinës për shkak të  konfliktit në Lindjen e Mesme, qytetarët shqiptarë po e sfidojnë duke konsumuar më shumë, pasi importi i karburanteve ka shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë muajit mars 2026.

Referuar të dhënave paraprake zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të siguara nga TV SCAN, sasia e karburanteve të importuara dhe zhdoganuara në muajin mars rezulton më e lartë krahasuar me muajt e mëparshëm të këtij viti.

Rritja është e dukshme jo vetëm në raport me shkurtin, por edhe me janarin 2026, duke sinjalizuar një zgjerim të furnizimit në treg pavarësisht presioneve të jashtme.

Konkretisht, të dhënat tregojnë se në Mars 2026 , muaj i cili solli rritje të ndjeshme të çmimit të naftës në treg, e cila arrin në afro 224 lekë/litër, janë zhdoganuar 56.903 ton karburante, me një rritje prej 5013 ton, ndërsa në raport me janarin 2026, rritja është 3491 ton.

Ajo që vihet re nga shifrat është se edhe në raport me muajin Mars të 8 viteve të fundit, pra duke nisur nga viti 2019, rezulton se në Mars 2026 janë zhdoganuar më shumë në sasi.

Rritja e importit mund të jetë e lidhur me disa faktorë kryesorë. Arsyeja  e parë mund të jetë një shtim i furnizimit nga kompanitë importuese  për ti paraprirë paqëndrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare, të ndikuara nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Së dyti, rritja e kërkesës në tregun vendas, lidhet edhe me rritjen sezonale të aktivitetit ekonomik, çka mund të ketë shtyrë operatorët të rrisin volumin e furnizimit. Dhe e treta, është se pavarësisht çmimit, qytetarët nuk kanë reduktuar lëvizjet.

Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë pësuar rritje të ndjeshme gjatë javëve të fundit, të ndikuara nga luhatjet në bursat ndërkombëtare të naftës dhe kostot e transportit. Kjo ka sjellë presion shtesë mbi konsumatorët dhe bizneset, veçanërisht në sektorët që varen nga transporti dhe logjistika.

Për këtë arsye qeveria ka marrë masa duke ngritur Bordin e Transparencës për të kontrolluar abuzimet me çmimet, përmes vendosjes së çmimeve tavan të shitjes me shumicë dhe pakicë të naftës dhe benzinës si dhe ka vendosur uljen e akcizës me 20 %  kur çmimi kalon 220 lekë për litër. Nga ana tjetër është ngritur edhe një Task Forcë e cila kontrollon në mënyrë të përditshme në terren pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve, me qëllim parandalimin e abuzimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat