Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2026, 11:27

Sektori i TIK-ut kërkon specialistë të IA - Raporti i RCC: Zhvillimet e reja po ndryshojnë nevojat e tregut të punës

Nga Ledina Elezi

Sektori i TIK-ut kërkon specialistë të IA - Raporti i RCC:

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga sektorët me potencial për ekonominë shqiptare. Eksportet e shërbimeve të teknologjisë janë zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa kompanitë shqiptare po lidhen gjithnjë e më shumë me tregjet dhe klientët ndërkombëtarë.

Sipas një raporti të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), pas vitit 2018 sektori përjetoi një përshpejtim të fortë në të gjithë rajonin. Në Shqipëri, eksportet e shërbimeve TIK pothuajse u trefishuan deri në vitin 2024, ndërsa rritja u favorizua edhe nga puna në distancë, digjitalizimi i bizneseve dhe kërkesa për shërbime teknologjike nga jashtë vendit.

Sot, në Shqipëri numërohen mbi 4 mijë punëdhënës aktivë në sektorin e TIK-ut dhe afro 23 mijë profesionistë. Më shumë se gjysma e kompanive të këtij sektori eksportojnë shërbimet e tyre, duke e bërë teknologjinë një aktivitet gjithnjë e më të lidhur me tregun ndërkombëtar.

Por zhvillimi i sektorit shoqërohet edhe me disa sfida.

82% e aktivitetit të TIK-ut është i përqendruar në Tiranë, që tregon se zhvillimi i këtij sektori mbetet ende shumë i centralizuar. Po ashtu, shumica e profesionistëve kanë përvojë të mesme ose të avancuar, ndërsa kompanitë përballen me vështirësi për të gjetur punonjësit që u nevojiten. Raporti thekson se Shqipëria është tregu më i përqendruar gjeografikisht në rajon dhe më i varur nga profesionistët në mesin e karrierës.

Një tjetër sfidë lidhet me inteligjencën artificiale. Kërkesa për profesionistë që dinë të punojnë me IA dhe ta integrojnë atë në biznes është në rritje. Por sfida nuk është thjesht përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale.

Ajo që kërkohet gjithnjë e më shumë është aftësia për të ndërtuar produkte dhe zgjidhje të bazuara në IA, duke kombinuar njohuritë teknologjike me kuptimin e nevojave të biznesit.

Pra, pas viteve të rritjes së shpejtë, sektori shqiptar i TIK-ut duket se po hyn në një fazë të re. Sfida nuk është më vetëm të rritet numri i programuesve, por të krijohen profesionistë me aftësi më të thella, më të specializuara dhe të përshtatura me teknologjitë e reja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat