Shqipëria Postuar më 8 Korrik 2025, 10:48

Sejko apel Bankave Tregtare: Garancia Sovrane dhe Programi për SME-të, shtysë për kreditimin në bujqësi!

Nga Edel Strazimiri

Sejko apel Bankave Tregtare: Garancia Sovrane dhe Programi për SME-të,

Nevoja për rritjen e kreditimit të sektorit bujqësor, me fokus investimet që rrisin produktivitetin dhe kapacitetin këtij sektori, përmes instrumenteve mbështetës që ka adresuar qeveria, ishte në fokus të takimit që u zhvillua sot në Tiranë, nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.

Duke marrë fjalën në këtë takim, Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko tha se, “kjo tryezë ka për qëllim të identifikojë rrugët dhe instrumentet e duhura për hapjen e një kapitulli të ri në kreditimin e sektorit bujqësor të vendit, që sot mbetet ende në nivel të ulët”.

Sipas tij, ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të kredisë totale. Për më tepër, trendet e viteve të fundit nuk janë aspak pozitive.

Gurvernatori u bëri apel bankave tregtare që kjo mangësi duhet korrektuar një orë e më parë, nëse synohet nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë shqiptare.

Sejko u ndal edhe në adresimin e masave që janë marrë për rritjen e kreditimit të bujqësisë.

“Banka e Shqipërisë vendosi në fokus të Programit të saj të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël e të Mesëm, rritjen e kredisë për sektorin bujqësor. Ky program, pjesë e të cilit janë bërë të gjithë aktorët e sektorit bankar, ju ofron ju një bazë të sigurt e të qëndrueshme fondesh, me kosto të ulët, për kreditimin e projekteve të zhvillimit të sektorit bujqësor, duke përshirë edhe agroturizmin dhe industrinë agroushqimore. Së fundmi, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke vënë në dispozicion një skemë garancie sovrane për kreditë e dhëna sektorit bujqësor. Kjo garanci ul ndjeshëm rrezikun e kreditimit të këtij sektori, duke reduktuar ndjeshëm dhe një nga problemet themelore që kemi diskutuar, kolateralin”, tha ai.

Guvernatori theksoi se këto dy projekte zhvillimi ofrojnë një platformë solide për të hedhur një hap të ri cilësor përpara në kreditimin e bujqësisë ndërsa tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve të Bankave Tregtare në vend në tre momente të rëndësishme.

“Së pari, në aspektin e ngushtë të interesit të bizneseve që ju drejtoni, dëshiroj të theksoj se shkalla e ulët e kreditimit të sektorit bujqësor nuk duhet të shihet vetëm si dëshmi e problemeve që ekzistojnë në këtë proces, por dhe si tregues potencial i kthimit të lartë që mund të siguroni nga investimi në të. Për këtë arsye, ju ftoj t’i jepni bujqësisë vëmendjen dhe ekspertizën që meriton.

Së dyti, në aspektin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, rritja e sektorit bujqësor në sinkron dhe paralel me sektorët e tjerë të ekonomisë, duhet parë si një element esencial për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Nga ky këndvështrim, si aktorë primarë në jetën ekonomike dhe financiare të vendit, ju duhet të konsideroni kreditimin e sektorit bujqësor, si një investim me kthim pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Së treti, si aktorë të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendit, mbështetja e sektorit bujqësor duhet të shihet edhe si detyrim moral ndaj Shqipërisë, vendi në të cilin zhvilloni me siguri dhe rentabilitet biznesin tuaj. Përkrahja e industrisë së zinxhirit ushqimor mbetet një faktor me rëndësi të vërtetë jetike për një vend dhe popullsinë e tij”, tha Guvernatori.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat