Shqipëria Postuar më 10 Mars 2026, 10:29

Saranda investon në rrugët e amortizuara - Në prag të sezonit turistik, hapet gara për projektin

Nga Ernilda Luzi

Saranda investon në rrugët e amortizuara - Në prag të

Bashkia Sarandë ka shpallur hapjen e garës me objekt rikualifikimin e rrugëve dhe shesheve në zonat Gjashtë, Metoq, Bërdenesh, Çukë dhe Manastir.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti parashikon ndërhyrje në infrastrukturën rrugore në disa segmente që ndodhen në zona urbane dhe turistike. Ky investim synon përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe të infrastrukturës për banorët e këtyre zonave, por edhe për turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre në këto destinacione.

Referuar dokumentit, do të ndërtohen dhe rikualifikohen tre rrugë, të cilat aktualisht paraqiten të amortizuara dhe të degraduara në pjesën më të madhe të tyre. Ndërhyrja parashikon projektimin dhe ndërtimin e rrugëve të brendshme me beton dhe asfalt në zonat Metoq, Bërdenesh, Manastir dhe Gjashtë, duke përfshirë nivelimin e terrenit dhe sistemimin e shtresave rrugore.

Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i mjedisit urban dhe krijimi i hapësirave më funksionale dhe miqësore për komunitetin. Ky projekt do të realizohet sipas standardeve bashkëkohore dhe evropiane, duke e kthyer këtë rrjet rrugor në një aset të rëndësishëm për zhvillimin e zonës dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve.

Ndërkohë, fondi limit i këtij investimi është 16 milionë e 591 mijë lekë. Ky investim synon të garantojë rritjen e sigurisë së lëvizjes si për këmbësorët ashtu edhe për mjetet, si dhe të shmangë problemet infrastrukturore në të ardhmen, thuhet në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat