Shqipëria Postuar më 28 Korrik 2025, 11:12

Samsung bashkëpunon me Tesla-n/ Marrëveshje prej 16.5 miliardë dollarësh për furnizimin me çipe

Nga Kristi Ceta

Samsung bashkëpunon me Tesla-n/  Marrëveshje prej 16.5 miliardë

CEO i Tesla-s, Elon Musk, tha se kompania ka nënshkruar një marrëveshje furnizimi me çipe prej 16.5 miliardë dollarësh me Samsung Electronics. Ky partneritet mund të ofrojë një shtysë të madhe për prodhimin e çipeve të firmës koreano-jugore.

Me shumë mundësi, Musk po i referohej objektit në ndërtim të Samsung në Taylor, Teksas. Marrëveshja mund t'i japë jetë të re projektit, që ka përjetuar vonesa pasi kompania ka hasur vështirësi për të siguruar klientë të profilit të lartë.

"Samsung pranoi të lejojë Tesla-n ta ndihmojë në maksimizimin e efikasitetit të prodhimit. Kjo është një pikë kthese dhe unë do të ndihmoj personalisht për të përshpejtuar ritmin e progresit. Fabrika është e vendosur jo shumë larg shtëpisë sime", shtoi Musk.

Ndërsa një afat kohor specifik për çipin AI6 nuk u zbulua, Musk ka thënë më parë se prodhimi i çipit A15 të gjeneratës së ardhshme do të fillojë në fund të vitit 2026, duke nënkuptuar se AI6 mund të vijojë më pas.

Samsung aktualisht prodhon çipet A14 të Tesla-s, të përdorur në sistemin e saj të vetëdrejtimit (FSD). Ndërkohë, Taiwan Semiconductor Manufacturing do të prodhojë modelet e ardhshme AI5, në fillim në Tajvan dhe më vonë në Arizona, sipas Musk.

Gjiganti korean i teknologjisë fillimisht zbuloi marrëveshjen e furnizimit prej 16.5 miliardë dollarësh pa e emëruar Teslën, duke cituar kërkesën e klientit për konfidencialitet. Kontrata do të zgjasë deri në fund të vitit 2033.

Mbetet e paqartë nëse kjo marrëveshje është e lidhur me diskutimet tregtare midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Seuli po kërkon partneritete për çipet dhe ndërtimin e anijeve me Uashingtonin, ndërsa punon për të parandaluar vendosjen e tarifave të mundshme prej 25% të SHBA-së.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat