Shqipëria Postuar më 18 Qershor 2025, 16:01

Samiti për Tranzicionin Energjetik - Balluku: Në fokus zhvillimet gjeopolitike, që ndikojnë sektorin energjetik

Nga Ola Mitre

Samiti për Tranzicionin Energjetik - Balluku: Në fokus zhvillimet

Zhvillimet gjeopolitike të javëve të fundit,  që ndikojnë sektorin energjetik ishin në fokus të Samitit për Tranzicionin Energjetik, i cili mbulon Europën Juglindore dhe Mesdheun Lindor, që u zhvillua në Athinë dy ditët e fundit. Ai bëri bashkë ministra dhe kabinetet e tyre nga gjithë Europa, si dhe përfaqësues të kompanive të mëdha, me qëllim bashkërendimin e politikave dhe zhvillimin e planeve të përbashkëta.

“Kemi diskutuar me skuadrën shqiptare gjatë këtyre ditëve me të gjithë partnerët tanë, të cilët janë pjesë e projekteve të reja që kemi nisur, ashtu siç janë për shembull kompanitë italiane përsa i përket linjës nënujore të transmetimit apo edhe kompanitë dhe ministrat nga Azerbajxhani përsa i përket projektit të gazifikimit, por mbi të gjitha kemi diskutuar për sigurinë energjetike. Siguria energjetike në Europën Juglindore, dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor, janë çelësat e suksesit për të gjithë zhvillimin e agjendës së gjelbër në vazhdim, ashtu siç Bashkimi Europian e kërkon”, - tha në përmbyllje të Samitit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Po ashtu, ajo foli për angazhimet e marra dhe progresin në fushën energjetike, duke nisur nga diversifikimi dhe interkonjeksioni, si një nga çështjet më të rëndësishme për t'u diskutuar tashmë në Europë.

“Shqipëria është angazhuar, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në energji për ndërtimin e përbashkët të Korridorit VIII i cili do të lidhë nga ana energjetike Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Gjithashtu, bisedime të rëndësishme kemi pasur edhe me ministren e Energjisë britanike e cila do të jetë edhe kryesuesja e të gjithë organizimit përsa i përket Dialogut të Berlinit në të ardhmen dhe, padyshim, mbështetja e Britanisë së Madhe kaq qenë dhe do të jetë gjithmonë e rëndësishme për Shqipërinë”, - tha Balluku.

Sipas Ballukut, Samiti i Tranzicionit Energjetik, i zhvilluar në Athinë, padyshim ishte një tjetër takim i frytshëm për të bashkërenduar punët dhe detyrat, për të punuar për qëndrueshmërinë dhe sigurinë energjetike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat