Shqipëria Postuar më 1 Korrik 2025, 12:44

Samiti i Shkupit: Shqipëria, më afër se kurrë me BE - Komisionerja për Zgjerimin: Në vjeshtë hapim negociatat për grupkapitullin e fundit

Nga Ledina Elezi

Samiti i Shkupit: Shqipëria, më afër se kurrë me BE -

Shqipëria është më afër se kurrë me Bashkimin Evropian, kështu janë shprehur Komisionerja e Bashkimit Evropian dhe Kryeministri Rama gjatë samitit të mbajtur në Shkup midis liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Samiti i Shkupit: Shqipëria, më afër se kurrë me BE -

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos theksoi edhe një herë se Shqipëria ka bërë progres si për sa i përket procesit të anëtarësimit, ashtu edhe për sa i takon zbatimit të Planit të Rritjes Ekonomike, ndërsa synohet që negociatat për grupkapitullin e fundit të hapen në vjeshtë.

“Për herë të parë në historinë e Evropës, nëse e bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të arrijmë Bashkimin e Evropës tonë dhe një Evropë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem shumë e qartë, sot ekziston një konsensus i qartë në favor të zgjerimit, kjo nuk ka qenë kështu në të kaluarën, por dritarja e kësaj mundësie nuk mund të jetë aty përgjithmonë. Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria, i nderuar Kryeministri Rama, ka hapur 3 grupkapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Ju falenderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Dhe, siç ju thashë edhe dje, mezi pres të festojmë hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.”

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Kryeministri Rama u shpreh se deri më tani i kemi përmbushur si duhet detyrimet për zbatimin e Planit të Rritjes Ekonomike.

“Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët që lidhet me zbatimin e Planit të Rritjes, një Plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron përditë e më shumë me Bashkimin Evropian. Ne jemi shumë krenarë, sepse kemi praktikisht përmbushur deri më tani të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas klaemdarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore do thosha dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër, nuk kemi qenë asnjëherë më afër, edhe besoj shumë se ne do t'i përmbushim të gjitha detyrimet siç i kemi paraparë afatet me Komisionin Evropian dhe Plani i Përbashkët do të realizohet plotësisht.”

Gjatë samitit, do të propozohet gjithashtu një paketë investimesh me një vlerë prej 87.7 milionë eurosh nga Komisioni Evropian nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat