Shqipëria Postuar më 28 Prill 2026, 16:42

Salla në panairin “Ditët e Bujqësisë 2026”: Lushnja pret fermerë dhe kompani nga rajoni e Europa

Nga SCAN TV

Salla në panairin “Ditët e Bujqësisë 2026”:

Në qytetin e Lushnjës është çelur panairi ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026”, i cili këtë vit vjen në edicionin e pestë.

Për tre ditë me radhë, nga 28 deri më 30 prill, sheshi qendror i qytetit do të mirëpresë mbi 100 fermerë, kompani, ekspertë dhe inovatorë nga Shqipëria dhe rajoni, duke e kthyer Lushnjën në një pikë takimi për zhvillimet më të fundit në sektorin bujqësor.

Në ceremoninë hapëse mori pjesë Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij panairi si një platformë bashkëpunimi dhe zhvillimi për sektorin.

“Është një ditë e veçantë për Lushnjën dhe për Shqipërinë, pasi ky panair është kthyer në një nga aktivitetet më të rëndësishme për bujqësinë në vend. Ajo që e bën të veçantë është pjesëmarrja jo vetëm e bizneseve shqiptare, por edhe e kompanive nga rajoni dhe Europa, duke krijuar mundësi reale për shkëmbim përvojash dhe lidhje kontratash që çojnë produktet tona drejt tregjeve ndërkombëtare,” u shpreh ministri.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e organizimit të fermerëve përmes Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), si një model që synon të rrisë prodhimin dhe cilësinë.

“Së bashku me bashkitë, po punojmë për të shtrirë modelin e SHBB-ve në të gjithë vendin, për të forcuar organizimin e fermerëve dhe për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit,” tha Salla.

Ministri nënvizoi se mbështetja për sektorin bujqësor do të vijojë përmes Skemës Kombëtare dhe paketës financiare me synimin për ta çuar bujqësinë shqiptare drejt standardeve të Bashkimit Europian.

Në përmbyllje, Ministri Salla vlerësoi organizimin e panairit, duke theksuar se “është një organizim jashtëzakonisht i shkëlqyer, që i jep vlerë qytetit të Lushnjës dhe potencialit të tij bujqësor, duke e çuar atë drejt një niveli të ri zhvillimi ekonomik, jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe më gjerë”.

Pas ceremonisë së hapjes e cila nisi me një program artistik, për të vijuar më pas me fjalën e organizatorëve, Ministri Salla vizitoi edhe stendat e ekspozuesve për t’u njohur nga afër me ofertën e tyre.

Në këtë panair prezantohen teknologjitë më të reja në bujqësi, produkte vendase cilësore dhe krijohen mundësi konkrete bashkëpunimi dhe zhvillimi biznesi, duke sjellë modele të reja për modernizimin e sektorit.

Të pranishëm në ditën e parë të panairit ishin përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, mes tyre edhe Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat