Shqipëria Postuar më 31 Mars 2026, 10:43

Salla: 5.2 miliardë lekë mbështetje për fermerët, rriten subvencionet dhe përfshihen masa të reja

Nga Edel Strazimiri

Salla: 5.2 miliardë lekë mbështetje për fermerët,

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi skemën kombëtare të mbështetjes për fermerët për vitin 2026, me një buxhet prej 5.2 miliardë lekësh, të hartuar pas konsultimeve në të gjithë vendin.

Skema parashikon mbështetje për investime në sera, blegtori, vreshta, mekanikë bujqësore, agropërpunim dhe agroturizëm, ndërsa një fokus i veçantë i është dhënë fermerëve të rinj, të cilët do të përfitojnë grante deri në 10 mijë euro.

Ndër masat kryesore, Salla theksoi rritjen e subvencioneve në blegtori, ku mbështetja për gjedhët rritet në 12 mijë lekë për krerë, për të imtat në 1500 lekë, ndërsa për bletarinë dyfishohet në 2000 lekë për koshere. Për herë të parë, do të jepet edhe mbështetje prej 70 mijë lekësh për dosat në sektorin e rritjes së derrit.

Gjithashtu, janë përgjysmuar pragjet e përfitimit, duke përfshirë më shumë ferma në skemë, ndërsa mbështetja për kontrollin biologjik në sera arrin deri në 70% të kostos.

Sa i përket skemës së naftës, ministri sqaroi se ajo do të funksionojë si mbështetje direkte financiare për uljen e kostove, ku fermerët do të përfitojnë 10% të vlerës së faturimeve të tyre.

Salla theksoi se kjo paketë synon rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe përgatitjen e fermerëve shqiptarë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat