Shqipëria Postuar më 11 Mars 2025, 11:49

Sa u “goditën” kursimet tona nga kursi i këmbimit? - BSH: Depozitat në valutë mbeten në nivele të larta. Kredia, më e prekura

Nga Ledina Elezi

Sa u “goditën” kursimet tona nga kursi i këmbimit? - BSH:

Si rrjedhojë e të ardhurave nga turizmi, dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja direkte, flukset e euros vijojnë të vërshojnë në nivele të frikshme në Shqipëri. Kjo i ka bërë edhe më të vështira përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin e ekonomisë shqiptare. Edhe për sa i përket parave të shqiptarëve në sistemin bankar, pra depozitave dhe kredive, duket se ata zgjedhin më shumë euron sesa lekun. Kjo prani e madhe e euros në treg, ka krijuar luhatje në kursin e këmbimit. A ka ndikuar ky kurs edhe në uljen e kursimeve dhe kredive të qytetarëve në euro?

Gjatë vitit që lamë pas, kursi i këmbimit i dha një goditje të fortë atyre që kishin marrë një kredi në valutë. Kreditë më të ekspozuara nga rreziku i zhvlerësimit të euros përfshinin rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës ishin në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë. Këstet e kredisë bëhen më të shtrenjta, pasi ata duhet t'i konvertojnë një pjesë të pagës nga lekë në monedhën evropiane.

Pavarësisht se raporti i kredive në valutë ndaj totalit të kredisë ka pësuar rënie, sërish mbetet në nivele të larta. Të dhënat nga raporti më i fundit i deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gjysmën të dytë të vitit 2024, pesha e portofolit të kredive në valutë ndaj totalit të kredive ra në 45.3%, rreth 1.8 pikë përqindje më pak se në vitin pararendës.

Megjithatë, ata që kanë të ardhura në lekë duket se kanë qenë më të ndërgjegjësuar për humbjet që do të kishin nga kursi i këmbimit në rast se do të merrnin një kredi në valutë. Nga statistikat zyrtare rezulton se kreditë e pambrojtura nga kursi i këmbimit pësuan një rënie me 11% në fund të 2024. 

Bankat tregtare kanë një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve mbi rreziqet që mbart kursi i këmbimit për huatë që marrin. Në rastet kur klienti aplikon për kredi në monedhë të ndryshme nga monedha në të cilën ka të ardhurat, bankat i propozojnë huamarrësit një kredi alternative në të njëjtën monedhë me të ardhurat e tij, si dhe e pajisin atë me një shembull konkret se si ndryshon kësti i kredisë në rast nënçmimi të lekut dhe/ose rritjeje të normës së interesit (me vlera të përcaktuara).

Për sa i përket kursimeve, duke qenë se shumica  e personave i kyçin kursimet e tyre në depozita afatgjata, mendojnë se kur të vijë momenti i tërheqjes së tyre, kursi i këmbimit nuk do të ketë të njëjtin efekt negativ si tani. Si rezultat, megjithëse raporti i depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave ka pësuar rënie, ajo vijon të mbizotërojë ndaj kursimeve në lekë. Në fund të gjashtëmujorit të dytë 2024, pesha e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 52.1%. Niveli i raportit pësoi një rënie të lehtë me 2.2 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar.

Prej vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një paketë masash për të ulur përdorimin e monedhave të huaja deri në një nivel që konsiderohet i natyrshëm për ekonominë shqiptare, duke marrë në konsideratë edhe të ardhurat në rritje nga turizmi. Sipas Bankës Qendrore, rezultatet e masave të deeuroizimit për të ulur përdorimin e euros në ekonomi kanë qenë të kufizuara dhe monedha evropiane vijon të përdoret gjerësisht në sistemin financiar shqiptar, siç e tregojnë edhe depozitat e kreditë e qytetarëve.

 

 

 

 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat