Shqipëria Postuar më 25 Shkurt 2026, 13:08

Sa trupa ushtarakë do të dërgojë Shqipëria në Gaza? - Shefi i Shtabit: Akoma nuk e kemi përcaktuar numrin e saktë. Angazhim me dy faza

Nga Ledina Elezi

Sa trupa ushtarakë do të dërgojë Shqipëria në

Shqipëria ka rënë dakord që të dërgojë trupa ushtarakë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit të Gazas në kuadër të Bordit të Paqes, por nuk është përcaktuar akoma se kur, sa dhe se si do të kontribuojnë konkretisht.

Kështu është shprehur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji në një konferencë për mediat, i cili theksoi ndër të tjera se bisedimet midis shtabeve të vendeve anëtare të Bordit të Paqes do të përcaktojnë ecurinë në vijimësi.

“Shqipëria ka shprehur dakordësinë për marrjen pjesë në forcën ndërkombëtare të stabilitetit. Aktualisht, kemi deklaruar pjesëmarrjen në fazën e parë me oficerë, në shtabin që do krijohet për këtë qëllim. Njëkohësisht, jemi duke punuar me aleatët për detajet e tjera. Nuk kemi përcaktuar akoma numrin e saktë të pjesëmarrësve, nuk ka asgjë konkrete për këtë gjë, por Shqipëria ka shprehur dakordësinë e saj”, tha Shefi i Shtabit.

Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se njëlloj si në misionet e mëparshme,  forcat tona operojnë nën varësinë e një aleati më të madh që në këtë rast janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne e shohim këtë angazhim me dy faza, siç e tha edhe gjenerali. Përfshirje me oficerë nëpër shtabe që organizojnë Forcën dhe siç e kemi bërë edhe në misione të mëparshme, qoftë në Irak, Afganistan apo misione aktuale të NATO-s apo të BE, forcat tona operojnë brenda një ombrelle të një aleati më të madh dhe kjo është logjika që do të ndjekim edhe në rastin konkret”, theksoi Ministri Vengu.

5 vendet e para të Bordit të Paqes të cilët konfirmuan që do të dërgonin trupa ushtarakë dhe polici në Gaza në kuadër të planit të paqes dhe rindërtimit të kësaj zone lufte, ishin Indonezia, Kazakistani, Maroku, Kosova dhe Shqipëria.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat