Shqipëria Postuar më 28 Maj 2026, 11:31

Sa tatim paguan shqiptarët nga pagat? 4-mujori, buxheti arkëtoi 284 milionë euro. Tejkalohet plani

Nga elisa

Sa tatim paguan shqiptarët nga pagat? 4-mujori, buxheti arkëtoi 284

Tatimi i paguar nga qytetarët shqiptarë nga të ardhurat personale që kanë krijuar gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm.

Në 4 muajt e parë të vitit, arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale rezultojnë me një shtesë prej 1.3 miliardë lekë apo 13 milionë euro në raport me 4-mujorn 2025,  duke reflektuar ndryshime të dukshme në tregun e punës, nivelin e pagave dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, qytetarët shqiptarë kanë kontribuar në total rreth 28.4 miliardë lekë, ose afërsisht 284 milionë euro në buxhetin e shtetit nga pagat dhe të ardhurat e tjera, përfshirë ato nga qiratë afatgjata dhe platformat e akomodimit si “Airbnb” dhe “Booking”.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga ky zë janë rritur me rreth 4.6 për qind, dhe në raport me planin, rezulton me tejkalim në 0.7 %.

Ndërsa vetëm gjatë muajit Prill, arkëtimet arritën në rreth 67 milionë euro, duke konfirmuar një ecuri pozitive mujore.

Nëse do të analizojmë të dhënat në një dekadë për të ardhurat e arkëtuara në periudhën Janar-Prill, vihet re një rritje e vazhdueshme dhe e fortë, që ka çuar këtë zë në nivele rekord.  Konkrerisht të ardhurat janë rritur nga rreth 8.7 miliardë lekë në Janar-Prill 2016 në afro 28.4 miliardë lekë, një zgjerim prej 19.7 miliardë lekësh apo 197 milionë eurosh,  ose 226.4 % në një dekadë.

Sipas administratës tatimore, kjo rritje lidhet ngushtë me përmirësimin e formalizimit në ekonomi dhe rritjen e deklarimit të të ardhurave. Fushatat kundër informalitetit, veçanërisht ato që synuan nën-deklarimin e pagave gjatë vitit 2025 dhe në vijim, duket se kanë ndikuar në ndryshimin e sjelljes së bizneseve.

Po ashtu, vendosja e pagave referencë në sektorë me nivel të lartë informaliteti, si turizmi, ndërtimi dhe shëndetësia, ka sjellë rritje të pagave të deklaruara dhe, për rrjedhojë, edhe të detyrimeve tatimore. Ndikim kanë pasur edhe rritjet e pagave në administratën publike gjatë dy viteve të fundit, ndjekur dhe nga sektori privat si dhe rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Një tjetër faktor që ka kontribuar është zgjerimi i tregut të qirave, sidomos atyre afatshkurtra të lidhura me zhvillimin e turizmit. Shtimi i pronave të listuara në platformat online ka rritur të ardhurat e individëve dhe njëkohësisht edhe nivelin e tatimit të paguar.  Në totalin e arkëtimeve nga TAP përfshihen edhe të ardhurat nga interesat bankare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat