Shqipëria Postuar më 30 Maj 2025, 12:05

Sa tatim paguan bizneset në 4 muaj? - Këtë vit, në skemë edhe profesionistët e lirë me më pak se 3 klientë

Nga Elisabeta Dosku

Sa tatim paguan bizneset në 4 muaj? - Këtë vit, në

Tatimi i paguar nga sipërmarrjet në vend mbi fitimin e akumuluar është regjistruar në afro 24.5 miliardë lekë apo 245 milionë euro vetëm në katër muajt e parë të vitit.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë një rënie të pandjeshme në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por krahasuar me planifikimin e bërë rezultojnë  rreth 20 milionë euro më pak.

Megjithatë, duket se vetëm në muajin prill buxheti i shtetit ka arkëtuar 70 milionë euro nga ky zë, me një rritje prej 13 milionë euro në krahasim me Prill 2024 dhe tejkalim plani me 26.5 %.

Nëse do të marrim në analizë të ardhurat në 4-mujor për dekadën e fundit tatimi i paguar mbi fitimin e bizneseve ka pasur një rritje progresive nga viti në vit.

Kështu nga 10.2 miliardë lekë në 2015 në 24.5 miliardë lekë në 2025, rritja regjistrohet në 58.2 %, çka është një tregues për rritjen e qarkullimit  dhe të fitimit të sipërmarrjeve të mëdha në vend.

Sipas të dhënave të administratës tatimore, aktualisht janë afro 16 mijë sipërmarrje  në të gjithë vendin që paguajnë tatim fitim, pasi bizneset e vogla me qarkullim 0-14 milionë lekë janë të përjashtuara. Shkalla e tatimit mbi fitimin për tatimpaguesit me të ardhura vjetore mbi 14 milion lekë aplikohet në 15% e fitimit të tatueshëm.

Ndërsa personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve, personat juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive dhe subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, paguajnë 5 % tatimfitim.

Nga ana tjetër, këtë vit do të aplikohet  tatim fitim në shkallë progresive nga 15-23 %  për kategorinë e të vetëpunësuarve, nëse kanë më pak se tre klientë.

Referuar udhëzimit të Ministrisë së Financave i cili përfshin deklarimet nga 1 Janari 2025, “nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të  ardhurave të fituara i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave të fituara nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto vjetore të tij (të  ardhura të faturuara minus shpenzimet e  zbritshme të biznesit), do të aplikohen normat e  tatimit mbi të ardhurat nga punësimi të cilat janë 13-23 %  (pas zbritjeve tatimore)

Aktualisht, Tatimi mbi fitimin zë rreth 24 % të të ardhurave tatimore vjetore, duke u renditur në vendin e tretë për nga pesha që zë në buxhet, pas TVSH-së dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat