Shqipëria Postuar më 4 Gusht 2025, 10:32

Sa tarifa do të paguajmë për transfertat me SEPA? - BSH: Jo më shumë se 3 euro për pagesat hyrëse. Për dalëset, sa ato të AIPS

Nga Ledina Elezi

Sa tarifa do të paguajmë për transfertat me SEPA? - BSH: Jo

Kur kanë mbetur edhe 2 muaj nga momenti që shqiptarët do të kenë mundësinë të kryejnë pagesa me SEPA, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar tarifat që do të zbatohen për çdo transaksion të realizuar përmes këtij sistemi.

Sipas projektrregullores së publikuar nga Banka Qendrore, tarifat për pagesat hyrëse nuk duhet në asnjë rast të tejkalojnë vlerën e 3 eurove për transaksion. Për shembull, një emigrant që do t'i dërgojë para familjes së tij në Shqipëri përmes SEPA-s, nuk do të ketë më shumë se 3 euro tarifë për transfertë. Kjo vlen për çdo pagesë hyrëse në Shqipëri.

Ndërkohë, tarifat për pagesat dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e pagesave kombëtare në euro, pra të pagesave në euro që procesohen përmes sistemit AIPS brenda Shqipërisë. Shqiptarët që do të dëgojnë para jashtë vendit me SEPA, nuk do të kenë tarifa më të larta se ato që janë aktualisht për pagesat në euro me AIPS brenda vendit.

Për shembull, për transfertat në sistemin AIPS EURO, komisioni minimal që aplikohet nga bankat tregtare është 4 euro. E njëjta gjë do të vlejë edhe për pagesat dalëse me SEPA. Ndërsa për çdo transfertë me vlerë më të vogël ose të barabartë me 150 mijë euro, bankat nuk duhet të aplikojnë komisione me vlerë më të lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.

Në rast se llogaria bankare e dërguesit është e ndryshme nga ajo e përfituesit, pra njëra është në lek dhe tjetra në euro, do të bëhet këmbimi i monedhës përpara se të realizohet transaksioni dhe do të aplikohet tarifë tjetër.

Duke filluar nga 7 tetori, qytetarët do të kenë mundësi të kryejnë pagesa ndërkufitare në euro me SEPA.

Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në euro me vendet anëtare të skemës do të jetë disa herë më e ulët. Sipas vlerësimeve të Bankës  së Shqipërisë, ekonomia shqiptare do të kursejë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në vijim. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat