Shqipëria Postuar më 6 Mars 2025, 13:33

Sa prona të konfiskuara janë dhënë me qira? - Nga 265 pasuri, as për gjysmën nuk ka pasur interes

Nga Ledina Elezi

Sa prona të konfiskuara janë dhënë me qira? - Nga 265

Nga 265 pasuri të konfiskuara krimit, vetëm 68 rezultojnë të jenë dhënë me qira nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Sipas katalogut të publikuar nga kjo e fundit, 265 prona janë aktualisht nën administrim shtetëror dhe të gatshme për ripërdorim social, shitje, apo dhënë me qira. E vetmja pengesë është se interesi i qytetarëve për t'i marrë në zotërim këto prona është tepër i ulët, siç e tregojnë edhe shifrat.

Duke qenë se pjesa më e madhe e pasurive të konfiskuara gjenden në Tiranë dhe Vlorë, edhe numri i atyre të lëshuara me qira ka qenë më i lartë në këto dy qytete. Konkretisht, nga 51 pasuri të konfiskuara në Tiranë, 21 rezultojnë të jenë marrë me qira. Ndërkohë, nga 45 pasuri të konfiskuara në Vlorë, vetëm 13 janë aktualisht me qira.

Individët kanë shfaqur kërkesë më të lartë për pasuri të tipit apartamente, apo njësi biznesi, ndërsa për shfrytëzimin e tokave ka pasur më pak interes në të gjitha qytetet, me përjashtim këtu të Lezhës. Megjithatë, nuk mungojnë ato prona që janë dhënë nga Agjencia për zbatimin e projekteve sociale ose që për arsye të caktuara i kanë kaluar në pronësi edhe bashkive.

Nga ana tjetër, edhe pse Saranda ka një numër të konsiderueshëm pronash të konfiskuara pranë bregdetit, interesi për t'i marrë ato me qira ka qenë zero.

Përveçse në katalog, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara publikon rregullisht edhe në rrjetet e saj sociale çmimin dhe karakteristikat e pronave që dëshiron t'i japë me qira. Shumica e pasurive janë në gjendje shumë të mirë dhe në zona strategjike, si për shembull në bregdet, apo qendër të qyteteve, ndërsa edhe çmimi i tyre rezulton të mos jetë shumë i lartë. Por, cilat janë arsyet e hezitimit të qytetarëve për t'i marrë ato me qira?

Fakti që këto pasuri kanë qenë më parë në pronësi të personave të lidhur me krimin, konsiderohen si të rrezikshme, apo të pasigurta për t'u banuar. Një arsye tjetër është edhe mungesa e informacionit. Shumë persona nuk kanë dijeni ose nuk dinë të kërkojnë mbi pronat e konfiksuara që jepen me qira.

Në vitin që lamë pas, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka mbledhur 159 milionë lekë të ardhura nga lëshimi me qira i këtyre pronave, rreth 96.2% më shumë sesa në vitin 2023, ku të ardhurat e siguruara nga qiradhënia ishin vetëm 81 milionë lekë.

Sa prona të konfiskuara janë dhënë me qira? - Nga 265 Sa prona të konfiskuara janë dhënë me qira? - Nga 265

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat