Shqipëria Postuar më 16 Maj 2025, 11:46

Sa para’ u shpërndanë për skemën e investimeve? - Disbursimi në nivel të ulët, vijon edhe në këtë vit

Nga Elisabeta Dosku

Sa para’ u shpërndanë për skemën e investimeve? -

Disbursimi i fondeve për skemën e re të investimeve në bujqësi të vënë në jetë në fund të vitit të kaluar nuk ka ecur sipas pritshmërive.

Referuar raportit të monitorimit të Ministrisë së Bujqësisë,  nga 100 milionë lekë që u vunë ne dispozicion te skemës se re mbështetës me grant për investime , rezulton se në 2024-ën u disburuan vetëm 11.4 milionë lekë apo rreth 114 mijë euro.

Procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024 ka përfunduar më 8 nëntor 2024, ndërsa afati i afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve u shty deri më 28 Shkurt 2025. 

Fillimisht u nënshkruan disa kontrata dhe nisi disbursimi i fondeve, për fermerët që plotësuan kriteret e kualifikimit dhe lidhën marrëveshjet përkatëse për realizimin e projekteve.

Referuar të dhënave zyrtare të AZHBR, Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024 ka regjistruar gjithsej 404 aplikime. Nga këto, deri më sot, 360 aplikime kanë përmbushur kriteret e përzgjedhjes.

Interesi më i lartë ka qenë për investime në mekanizimin e fermave me 305 aplikime dhe për ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimentet për rritjen e shpendëve me 49 aplikime. Ndërkohë, numri i aplikimeve për masat që lidhen me serrat diellore dhe akuakulturën ka qenë më i kufizuar. Rajonet me kërkesën më të lartë për këtë skemë janë Fieri, Vlora dhe Korça, duke reflektuar interesin e fermerëve për mbështetje në këto zona me tradita bujqësore dhe blegtorale.

Për subjektet që kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm deri më 28 shkurt 2025, disbursimi i fondeve do të vijojë përgjatë vitit 2025.

Mbështetja financiare është një iniciativë e rëndësishme për modernizimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke siguruar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të konkurrencës në tregjet lokale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në rajonet me potencial të lartë prodhimi.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat