Shqipëria Postuar më 23 Janar 2026, 12:05

Sa para “prishin” shqiptarët? - 1 nga 5 kartëmonedha rezulton çdo vit e dëmtuar

Nga SCAN TV

Sa para “prishin” shqiptarët? - 1 nga 5 kartëmonedha

Paraja fizike qarkullon intensivisht në Shqipëri, por konsumohet me shpejtësi.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të përpunuara nga SCAN, rezulton se se çdo vit në vend përpunohen mesatarisht 90 deri në 105 milion kartëmonedha, nga rreth 160 milionë që janë në qarkullim në total, të cilat kontrollohen për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim.

Nga ky volum, rreth 1 në 5 kartëmonedha rezulton e papërshtatshme për përdorim, për shkak të konsumimit fizik, dhe zëvendësohet me kartëmonedha të reja. Norma e papërshtatshmërisë ka arritur deri në 21.5% në vitin 2024, duke reflektuar përdorimin intensiv të cash-it në pagesat e përditshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kartëmonedhat me prerje të vogla, veçanërisht 500 dhe 1 000 lekë, kanë shpejtësinë më të lartë të qarkullimit dhe për këtë arsye konsumohen më shpejt se çdo prerje tjetër. Ato përdoren kryesisht në transaksione të vogla, si blerjet e përditshme dhe shërbimet rutinë.

Ky konsumim i vazhdueshëm ka edhe një kosto ekonomike. Studimet ndërkombëtare tregojnë se paraja fizike mund t’i kushtojë një ekonomie nga 1 deri në 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kur përfshihen kostot e printimit, transportit, ruajtjes, sigurisë dhe përpunimit.

Për Shqipërinë, kjo përkthehet në rreth 25 deri në 43 miliardë lekë në vit, ose 250 deri në 430 milionë euro. Një kosto që nuk reflektohet drejtpërdrejt te qytetarët, por që mbulohet nga sistemi bankar, bizneset dhe institucionet financiare.

Ekspertët theksojnë se në këtë kontekst, pagesat digjitale paraqiten si më efikase dhe me kosto më të ulët, duke reduktuar shpenzimet e menaxhimit të parasë fizike dhe duke rritur transparencën në ekonomi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat