Shqipëria Postuar më 27 Qershor 2025, 13:03

Sa para’ mbajnë shqiptarët në bankë? - Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i rikthehen rritjes. Rreth 1.38 trilionë lekë në maj

Nga Ledina Elezi

Sa para’ mbajnë shqiptarët në bankë? - Depozitat e

Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i janë rikthyer rritjes në maj, pas një rënieje në dy muajt paraardhës. Sipas statistikave të Bankës Qendrore, shuma e depozitave të përfshira në paranë e gjerë pësoi një rritje të lehtë me 0.6% në krahasim me prillin dhe 0.2% në krahasim marsin. Konkretisht, në fund të muajit të kaluar, totali i depozitave ishte 1.38 trilionë lekë.

Për sa i përket monedhës, depozitat në valutë kapin vlera më larta se ato në lekë. Pra, shumica e parave tona në bankë rezultojnë të jenë në monedhë të huaj. Depozitat në lekë llogariten në 645 miliardë lekë, 0.7% më shumë se në shkurt.

Ndërkohë, depozitat në valutë kapin një shifër prej 739 miliardë lekësh, edhe kjo një vlerë rreth 0.5% më e lartë se në muajin pararendës. Kështu, nga kjo kuptojmë se ndikimin më të madh në rritjen e totalit të depozitave të përfshira në paranë e gjerë e kanë dhënë depozitat në lekë.

Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i referohen të gjithë parave që qytetarët dhe bizneset mbajnë në bankë, pra paratë në llogaritë bankare, në llogari kursimi, në depozita afatshkurtra ose afatgjata dhe të tjera.

Ndërkohë, të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se depozitat e transferueshme, të cilat i referohen parave që ne mbajmë në llogaritë tona bankare, vijojnë të jenë në shuma më të larta, ndjekur më pas nga depozitat pa afat dhe llojet e tjera të depozitave.

Depozitat e transferueshme në lekë kanë arritur në 374 miliardë lekë në maj, ndërsa ato në valutë në 366 miliardë lekë. Nga ana tjetër, depozitat pa afat dhe depozitat e tjera në lekë rezultojnë me një rritje të lehtë prej përkatësisht 0.5% të dyja.

Ndërkohë, për sa i takon depozitave në valutë të përfshira në paranë e gjerë, shifrat flasin për një rënie të depozitave me likuiditet të lartë (depozitat pa afat) dhe të llojeve të tjera të depozitave.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat