Shqipëria Postuar më 30 Tetor 2025, 11:12

Sa para mbahen në bankat shqiptare? - Rreth 1.45 trilionë lekë. Zhvlerësimi i euros, ndikim të lehtë te depozitat në valutë

Nga Ledina Elezi

Sa para mbahen në bankat shqiptare? - Rreth 1.45 trilionë lekë.

Shqiptarët po depozitojnë më shumë para në bankë. Të dhënat e sapopublikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se depozitat e përfshira në paranë e gjerë rezultojnë të kenë arritur në 1.45 trilionë lekë në shtator, një rritje e lehtë kjo me 0.9% në krahasim me gushtin.

Kjo shifër dëshmon një rritje të kursimeve të qytetarëve, fitimit të bizneseve, por edhe shtimit të besimit të tyre në banka, pasi ata po zgjedhin gjithnjë e më tepër t'i kalojnë këto para në bankë.

Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i referohen të gjithë parave që qytetarët, bizneset publike dhe private, institucionet financiare jobankare apo institucionet publike, mbajnë në bankë. Gjithsej, 1.45 trilionë lekë është shuma e parave në llogari rrjedhëse, llogari kursimi, në depozita afatshkurtra, afatgjata, pa afat dhe të tjera.

Por si është raporti ndërmjet depozitave në lekë dhe atyre në valutë?

Pavarësisht se shumica e parave në bankë gjenden në monedhë të huaj, kryesisht euro, depozitat në lekë kanë pësuar rritjen më të madhe këtë shtator me 1.4%, ndërsa ato në valutë me vetëm 0.4%. Zhvlerësimi i monedhës evropiane rezulton të ketë dhënë një ndikim tepër të lehtë në zhvendosjen e kursimeve nga depozitat në valutë tek ato në monedhën kombëtare.

Nga ana tjetër, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat e transferueshme në lekë, të cilat i referohen parave që ne mbajmë në llogaritë tona bankare, kanë arritur për herë të parë në 400 miliardë lekë në shtator, ndërsa ato në valutë në 387 miliardë lekë.

Depozitat pa afat dhe llojet e tjera të depozitave vijnë me një shumë më të vogël dhe me një rritje më të lehtë krahasuar me shtatorin.

Për sa i përket depozitave në valutë të përfshira në paranë e gjerë, shifrat flasin për një rënie të depozitave me likuiditet të lartë (depozitat pa afat) dhe rritje të llojeve të tjera të depozitave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat