Shqipëria Postuar më 4 Mars 2025, 10:58

Sa para’ “derdhin” shqiptarët në fondet e investimeve? - AMF: Rreth 17% më shumë anëtarë në 2024. Titujt qeveritarë, më të preferuarit

Nga Ledina Elezi

Sa para’ “derdhin” shqiptarët në fondet e

Në vitin që lamë pas janë shtuar personat që zgjedhin t'i investojnë paratë e tyre në bono thesari dhe obligacione përmes fondeve të investimeve. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se fondet e investimeve numëronin mbi 37 mijë anëtarë gjatë vitit 2024, rreth 17% më shumë se në 2023.

Kjo tregon se shqiptarët po diversifikojnë mënyrat e investimit të parave të tyre. Megjithatë, pavarësisht rritjes, investimet në tituj qeveritarë vijojnë të mbeten në nivele shumë të ulëta në krahasim me format tradicionale të investimit të parave në depozita, apo pasuri të paluajtshme.

Nga statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare rezulton se vlera neto e aseteve të tregut, arriti në rreth 61.36 miliardë lekë ose 625 milionë euro, me një rritje prej 11,075 milionë lekë ose 22%, krahasuar me vitin 2023.

Fondet mund t'i investojnë paratë e anëtarëve të tyre në aksione, tituj qeveritarë, bono thesari dhe obligacione qeveritare, obligacione të shoqërive brenda ose jashtë vendit, mjete monetare dhe asete të tjera. Në 2024, investimet në këtë treg u dominuan kryesisht nga investimet në tituj qeveritarë, pra bono thesari dhe obligacione, të cilat përbëjnë 79.24% dhe ndërkohë 6.2% janë investime në tregjet financiare ndërkombëtare. Nga kjo kuptojmë se pjesa më e madhe e investitorëve është e përqendruar te fonde që ndërmarrin një risk të ulët, pra tek ato që investojnë kryesisht në bono dhe obligacione të shtetit shqiptar dhe më pak në fonde që investojnë në aksione jashtë vendit.

Në fund të vitit të kaluar, në Shqipëri operonin gjithsej 18 fonde të investimit, të cilat administroheshin nga vetëm 6 shoqëri. Në krahasim me 2023, rezulton të jenë shtuar 3 fonde të reja. Shumica e këtyre fondeve menaxhohen nga kompanitë e sigurimit dhe bankat tregtare, ku këto të fundit kanë në zotërim më shumë se një lloj fondi.

Qytetarët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si mund të investojnë individualisht në bono thesari dhe obligacione ose nuk duan të përfshihen drejtpërsëdrejti në këtë proces, i drejtohen zakonisht fondeve të investimit, të cilat i investojnë paratë e klientëve të tyre në tituj shtetërorë dhe garantojnë një kthim fitimi të sigurt.

Në fondet e investimeve, qytetarët mund të investojnë një shumë të vogël parash, të cilën e rrisin gradualisht. Investimi mund të jetë periodik ose në mënyrë të menjëhershme dhe tërhiqet në çdo kohë.

 

Sondazh

Poll
Shqipëria 4 Mars Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan blihet sot me 94 lëkë dhe shitet me 95.2 lekë duke e nisur ditën në vlera të paqëndrueshme në raport me një ditë më parë sipas kursit të......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat