Shqipëria Postuar më 31 Maj 2025, 10:44

Sa paguajnë shqiptarët me kartë? - BSH: Në 3 muaj u realizuan 5.8 mln transaksione përmes terminaleve POS

Nga Ledina Elezi

Sa paguajnë shqiptarët me kartë? - BSH: Në 3 muaj u

Shqiptarët po i kryejnë gjithnjë e më shumë pagesat me kartë në dyqane. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se pagesat me kartë në terminalet POS janë rritur me 30% në krahasim me periudhën janar-mars të vitit të kaluar.

Kështu, në tremujorin e parë të këtij viti, rezulton të jenë kryer 228 milionë lekë pagesa përmes terminaleve POS nga 175 milionë që ishin një vit më parë. Sipas statistikave zyrtare, karta është përdorur 5.8 milionë herë nga shqiptarët për të bërë blerje në dyqane, markete, apo për të kryer pagesa nëpër bare dhe biznese të tjera.

Në krahasim me tre muajt e parë të vitit që lamë pas, është parë një rritje me 112% e numrit të transaksioneve të kryera me kartë në terminalet POS.

Rritja e  pagesave me kartë ka ecur paralel me instalimin e terminaleve të reja.

Gjatë tremujorit të parë 2025, janë instaluar 709 terminale të reja POS nga bizneset. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rritje me 2.9% të POS-eve në krahasim me 2024, duke e çuar kështu në 25,190 numrin total të terminaleve POS në vendin tonë. 

Pavarësisht rritjes së pagesave me kartë, shqiptarët vijojnë të jenë të lidhur ngushtë pas parasë fizike dhe pagesat elektronike për frymë janë ende në nivele të ulëta.

Këtë vit, kompania amerikane Mastercard nisi zbatimin e një programi në Shqipëri për shpërndarjen e 4750 terminaleve POS falas për tregtarët. Në 1 maj u hap zyrtarisht thirrja për aplikime për bizneset e vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e ushqimoreve, hoteleve, taksive, bareve dhe restoranteve, ku deri në një vit do të kenë zero komision për transaksionet që kryejnë qytetarët me kartë në POS.

Ndërkohë, në 2026 pritet të nisë edhe zbatimi i sistemit të pagesave të shpejta, i cili do t'i japë mundësi qytetarëve të kryejnë pagesat në dyqane përmes skanimit të një kodi QR në telefon.

 

 

 

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat