Shqipëria Postuar më 25 Nëntor 2024, 11:29

Sa pagesa u realizuan përmes terminaleve POS? - Shtohet me 8% numri i pikave, por bizneset vazhdojnë të mos e përdorin

Nga Ledina Elezi

Sa pagesa u realizuan përmes terminaleve POS? - Shtohet me 8% numri i

Numri i terminaleve POS në Shqipëri po rritet me një ritëm më të ngadaltë në muajt e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në periudhën korrik-shtator ka pasur një rritje me vetëm 8% të terminaleve POS në Shqipëri. Aktualisht, vendi ynë numëron 23,502 terminale të tilla, ku në tremujorin e tretë rezulton të jenë shtuar rreth 1,721 të reja.

Rreth 23,496 është numri i terminaleve EFTPOS në Shqipëri, të cilat përdoren gjerësisht nga individët për të kryer blerjen me kartë të ushqimeve nëpër markete, 6 është numri i terminaleve POS me funksion tërheqje parash, ndërsa terminalet virtuale POS për përdorimin e kartave, pra ato që përdoren për kryerjen e pagesave nëpërmjet faqeve të internetit, janë 255 gjithsej.

Për sa i takon numrit të transaksioneve të kryera, rreth 1.7 milionë është numri i pagesave të realizuara përmes këtyre terminaleve gjatë muajit shtator. Ndërsa për sa i përket vlerës, 74 milionë lekë rezulton totali i pagesave të realizuara përmes këtyre terminaleve dhe në 583 milionë lekë ka arritur shuma e përgjithshme në fund të nëntëmujorit.

Pavarësisht se nga muaji në muaj ka një rritje të qëndrueshme të këtyre terminaleve, ka shumë biznese që megjithëse zotërojnë një POS, vazhdojnë të mos e përdorin. Këtu bëhet fjalë sidomos për bizneset e vogla, të cilat nuk pranojnë pagesa me kartë për blerje më pak se 1500 lekë. Kjo ndodh për arsye se komisionet që kanë bankat për një pagesë që kryhet me POS janë shumë të larta dhe variojnë nga 2% deri në 3.5%.

Me qëllim uljen e parasë cash në ekonomi dhe rritjen kështu të pagesave të realizuara me kartë, qeveria synon që të rrisë numrin e bizneseve që përdorin POS në ambientet e aktivitetit të tyre. Për ta realizuar këtë gjë, brenda vitit 2025 pritet të krijohet një grup pune mes Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave për të ulur komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe bizneseve.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat