Shqipëria Postuar më 26 Shkurt 2026, 12:07

Sa kushton eksperti për rivlerësimin e pronave? - Tarifat private për 8 kategori/ Nga 150 euro për apartamente, deri 500 euro për hotele

Nga Elisabeta Dosku

Sa kushton eksperti për rivlerësimin e pronave? - Tarifat private

Qytetarët që zgjedhin të bëjnë rivlerësimin e banesave me normë tatimore 5 për qind me vlerën e tregut, do të duhet ta bëjnë atë përmes një eksperti të licencuar dhe një tarife të caktuar për ofrimin e këtij shërbimi.

Por cilat janë tarifat që do të aplikohen?

Referuar burimeve të SCAN TV nga tregu, tarifa minimale për një raport vlerësimi nis nga 100-150 euro për apartamentet dhe ndryshon sipas tipologjisë së pronës që do të rivlerësohet.

Konkretisht për shtëpi private apo vilë, tarifa mesatare për këtë shërbim varion nga 150-300 euro.

Për dyqanet, ambientet komerciale ekspertët e vlerësimit të pasurive aplikojnë një tarifë prej 200-300 euro. Për bar-kafe-restorante, tarifa varion nga 250-500 euro.

Për magazina aplikohet një tarifë mesatare 200-400 euro. Ndërsa për hotelet, raporti i vlerësimit të pasurisë do të paguhet mbi 500 euro.

Sa i takon rivlerësimit të tokave, për tokat arë, tarifa varion nga 150-200 euro. ndërsa për trojet për zhvillim, nga 200-400 euro.

Gjithsesi këto janë tarifa të mesatarizuara për çdo njësi, pasi kostoja përfundimtare varet nga kompleksiteti që ka çdo pronë dhe nga qartësia e dokumentacionit të saj.

Në rast se individi zgjedh ta bëjë rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme, i cila nuk mund të jetë me e vogël se çmimet e referencës.

Ndryshe nga tarifat private, ato shtetërore janë në bazë të nivelit të shumës së arkëtuar nga tatimi i rivlerësimit. Pra, tarifat  për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë ASHK-së, variojnë nga 3500 lekë nëse vlera e tatimit 5 % të rivlerësimit që derdhet në buxhet është 150 mijë lekë,  7000 lekë nëse vlera varion nga 150-300 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, për vlerën mbi 300 mijë lekë. E thënë ndryshe, një ekspert privat kushton më shumë, por qytetari përfiton një vlerë më të rritur të pronës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat