Shqipëria Postuar më 24 Janar 2025, 11:00

Sa kushtojnë rrjetat antibreshër? - Deri në 3500 euro/dynymi. Kostot aktuale për serat bujqësore

Nga Elisabeta Dosku

Sa kushtojnë rrjetat antibreshër? - Deri në 3500 euro/dynymi.

Thuajse çdo vit, për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme, reshjeve të dendura të shiut, breshërit apo dëborës, tonelata me prodhime të fermerëve shqiptarë shkatërrohen, duke çuar dëm mundin e tyre dhe duke u shkaktuar pasoja të rënda ekonomike.

Situata është edhe më problematike për shkak edhe të mungesës së një skeme të sigurimit të bujqësi, duke i lënë kështu fermerët pa “çati”.

Në këto kushte, investimi në sisteme të mbrojtjes nga kushtet atmosferike, bëhet i domosdoshëm.

Por sa kushton një rrjetë antibreshër aktualisht në treg?

Referuar të dhënave të marra nga bizneset që ofrojnë këtë shërbim, rrjeta antibresher llogaritet në një kosto prej rreth 2000-3500 euro dynymi. Megjithatë pavarësisht se Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion mbështetje përmes skemës së investimeve, interesi për investimet në rrjeta antibreshër ka qenë i ulët dhe shkak për këtë është parcelizimi i tokave. Sipas subjekteve që ofrojnë këtë shërbim,  nëse toka është e ndarë në disa parcela të cilat kanë distancë ndërmjet tyre, kostot rriten ndjeshëm.

Nga ana tjetër, serat bujqësore po ashtu janë investime që po mbështeten dhe që janë në interes të fermerëve. Por sa kushton instalimi i tyre?

Kompanitë në treg shprehen se për të ndërtuar një serë bujqësore, kostoja varion 9-18  mijë euro dynymi, kjo varet nga konstruksioni i saj.

Sera e modelit ekonomik kushton 10.000 euro për dynym,  i cili është modeli më i përshtatshëm për klimën e Shqipërisë, që përfshin harkun me kulm dhe mundëson mosrënien e vesës mbi bimë dhe ruajtën e saj nga sëmundjet.  Kjo serë ka si karakteristikë mbërthimet me bulona dhe jo saldim dhe quhet serë e çmontueshme.

Ndërsa çmimi maksimal arrin në 18 mijë euro/dynym, dhe është për konstruksione më të rënda. Bëhet fjalë për sera më automatike në proceset e saj, hapje kompjuterike, sistem vaditje kompjuterike, etj.

Një tjetër skemë që mbështetet me financim nga qeveria është ujitja me pika.

Ujitja me pika kushton minimalisht 60 euro për dynym, por kjo strukturë ndryshohet çdo vit, sepse tubat janë të përdorshme për një vit. Ndërsa modeli i vaditjes kompjuterike ka kosto më të larta. Ku 15 mijë euro kushton kompjuteri automatik dhe 120 euro për dynym, kushton pjesa e tubave. Kompjuteri ka një garanci 5 vjeçare.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat