Shqipëria Postuar më 28 Prill 2025, 10:48

Sa kohë nevojitet për të shitur një pronë? - BSH: Çmimet e banesave, “në stratosferë”. Rriten edhe qiratë

Nga Ledina Elezi

Sa kohë nevojitet për të shitur një pronë? - BSH:

Çmimet e shitjes së banesave, apo të dhënies me qira të tyre, janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në periudhën korrik-dhjetor 2024. Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit, dhe me 44.5% llogaritur me një vit më parë. Vetëm në Tiranë rezulton që çmimi i shitjeve të jetë rritur me 26.2% ndaj periudhës janar-qershor dhe 56% ndaj nivelit të një viti më parë.

Megjithatë, edhe pse kemi një rritje të çmimit, në gjysmën e dytë të vitit që lamë pas janë shitur më shumë prona. Por sa kohë i është dashur mesatarisht një prone që të shitet?

Në korrik-dhjetor rezulton që pronat të jenë shitur më shpejt që nga momenti i daljes në shitje. Të dhënat nga raporti i Bankës Qendrore tregojnë se një banese iu deshën mesatarisht 9.3 muaj që të shitet, nga 10.5 muaj që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit. Nga një përllogaritje e dy gjashtëmujorëve të vitit të kaluar, del që koha mesatare e shitjes së një banese në 2024 ishte 9.9 muaj. 

Për një hark kohor prej 5 vitesh, në 2024 është shënuar koha mesatare më e ulët e shitjes, pra pronat janë shitur më shpejt se çdo herë tjetër.

Në kryeqytet, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 7.1 muaj, ndërsa shitja e pronave në zonat bregdetare është bërë më e vështirë. Koha mesatare e shitjeve në bregdet u rrit, duke u kthyer në vlerat e një viti më parë, në 10 muaj.

Nga ana tjetër, të huajt kanë blerë më pak prona në Shqipëri. Kërkesa për blerje pronash nga jorezidentët, pra nga të huajt ose emigrantët shqiptarë që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian, ka pësuar rënie. Pronat e shitura te jorezidentët përbënin vetëm 18% të shitjeve të përgjithshme nga 26%-27% që ishte në dy gjashtëmujorët e mëparshëm. Ndërkohë, kërkesa për prona nga shqiptarët brenda vendit ka vijuar të jetë e qëndrueshme.

Gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 72% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Edhe për sa i përket qirasë, kërkesa ka qenë e lartë, por edhe çmimet janë rritur. 

Koha mesatare e shitjes së pronave në 5 vite

2024                9.9 muaj

2023               10.75 muaj   

2022               10.4 muaj

2021               10.75 muaj

2020               10.6 muaj  

Sondazh

Poll
Shqipëria 28 Prill Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën në vlera të qëndrueshme në raport me luhatjet e vazhdueshme që pësoi javën që lamë pas duke u blerë sot me 86.5 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat