Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2025, 13:33

Sa investojnë shqiptarët në bono dhe obligacione? - AMF: Numri i anëtarëve në fondet private arriti mbi 40 mijë në tremujorin e parë

Nga Ledina Elezi

Sa investojnë shqiptarët në bono dhe obligacione? - AMF: Numri i

Jo vetëm në depozita dhe pasuri të paluajtshme, por edhe në tituj qeveritarë. Shqiptarët po diversifikojnë mënyrat e investimit të parave të tyre.

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se është shtuar numri i qytetarëve që i investojnë paratë në bono thesari dhe obligacione përmes fondeve të investimeve. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, fondet e investimeve numëronin mbi 40 mijë anëtarë, rreth 6% më shumë se në 2024.

Nga statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare rezulton se vlera neto e aseteve të tregut, arriti në rreth 67 miliardë lekë ose 675 milionë euro, me një rritje prej 5.65 milionë lekë ose 9.21%, krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Fondet mund t'i investojnë paratë e anëtarëve të tyre në aksione, tituj qeveritarë, bono thesari dhe obligacione qeveritare, obligacione të shoqërive brenda ose jashtë vendit, mjete monetare dhe asete të tjera. Në 3 muajt e parë të 2025, investimet në këtë treg u dominuan kryesisht nga investimet në tituj qeveritarë, pra bono thesari dhe obligacione, të cilat përbëjnë 78.7%, ndërkohë 5.7% janë investime në tregjet financiare ndërkombëtare. Nga kjo kuptojmë se pjesa më e madhe e investitorëve është e përqendruar te fonde që ndërmarrin një risk të ulët, pra tek ato që investojnë kryesisht në bono dhe obligacione të shtetit shqiptar dhe më pak në fonde që investojnë në aksione jashtë vendit.

Në Shqipëri operojnë gjithsej 18 fonde të investimit, të cilat administrohen nga vetëm 6 shoqëri. Shumica e këtyre fondeve menaxhohen nga kompanitë e sigurimit dhe bankat tregtare, ku këto të fundit kanë në zotërim më shumë se një lloj fondi.

Qytetarët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si mund të investojnë individualisht në bono thesari dhe obligacione ose nuk duan të përfshihen drejtpërsëdrejti në këtë proces, i drejtohen zakonisht fondeve të investimit, të cilat i investojnë paratë e klientëve të tyre në tituj shtetërorë dhe garantojnë një kthim fitimi të sigurt.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat