Shqipëria Postuar më 9 Gusht 2025, 11:11

Sa investojnë shqiptarët në bono dhe obligacione? - AMF: 30% më pak transaksione në tregun primar gjatë gjysmës së parë të vitit

Nga Ledina Elezi

Sa investojnë shqiptarët në bono dhe obligacione? - AMF: 30%

Depozitat po shihen gjithnjë e më tepër si një investim më i sigurt i parave se ai i blerjes së bonove të thesarit dhe obligacioneve. Shifrat tregojnë se investimi në tituj qeveritarë po bëhet gjithnjë e më pak tërheqës për shqiptarët.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në gjysmën e parë të këtij viti janë kryer 30% më pak transaksione nga individët në tregun primar të titujve qeveritarë, konkretisht 4,426 transaksione nga 6,347 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ulje e numrit të transaksioneve është përkthyer edhe me uljen e volumit të parave të investuara në bono thesari e obligacione të qeverisë nga qytetarët.

Nga ana tjetër, rreth 14.5 miliardë lekë rezultojnë të jenë blerjet e qytetarëve në tregun primar, pra blerjet direkte për herë të parë të titujve qeveritarë përmes ankandeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë. Kjo përbën një rënie me 20% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, kur totali i investimeve nga individët ishte 18 miliardë lekë.

Për sa i takon shitjes së titujve ndërmjet bankave, fondeve dhe investitorëve të tjerë individualë, pasi janë blerë fillimisht nga Banka e Shqipërisë dhe para përfundimit të afatit të tyre, 55.8% ishin transaksione në instrumente afatgjatë (obligacione) dhe 44% ishin transaksione në instrumenta afatshkurtër (bono thesari).

Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 73.70% e të gjitha transaksioneve në këtë treg sekondar të titujve të Qeverisë jashtë Burse, i përkasin atyre të kryera në bono thesari. Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë jashtë Burse për periudhën janar-qershor 2025 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 97% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Qytetarët mund të investojnë në bono thesari dhe obligacione duke marrë pjesë në mënyrë direkte në ankandet e Bankës së Shqipërisë ose duke investuar në mënyrë indirekte përmes fondeve të investimeve, të pensioneve dhe institucioneve të tjera të autorizuara për investim në këto instrumente.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat