Shqipëria Postuar më 9 Prill 2025, 12:12

Sa e zhvilluar është industria në Shqipëri? - RCC: Sektori agroushqimor, me rritjen më të lartë të punësimit

Nga Ledina Elezi

Sa e zhvilluar është industria në Shqipëri? - RCC: Sektori

Pavarësisht se industria nuk është shumë e zhvilluar në krahasim me sektorët e tjerë, Shqipëria vlerësohet ndër vendet  e rajonit me rritjen më të lartë të kapaciteteve industriale. Sipas një raporti të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që prej vitit 2010 e deri më sot, kapacitetet industriale të Shqipërisë kanë pësuar një rritje me 4.8%.  

Për sa i përket punësimit në sektorin e prodhimit, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria raportojnë nivele shumë të ulëta, duke sinjalizuar një fuqi punëtore më të vogël industriale në krahasim me ekonomitë e tjera në rajon. Kjo tregon se Shqipëria mbështetet më tepër në sektorë të tjerë (si bujqësia ose shërbimet) për krijimin e vendeve të punës. Megjithatë, kontributi i sektorit të prodhimit në punësim rezulton të jetë rritur dhe në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duket se ka qenë një motor kryesor i krijimit të vendeve të punës në Shqipëri.

Megjithëse të punësuarit në sektorët e prodhimit në Kosovë dhe Shqipëri kanë pagat më të ulëta, me një punonjës mesatar që fiton rreth 5,000 dollarë amerikanë në vit, raporti thekson se Shqipëria ka përjetuar rritjen më të lartë të pagave në rajon. Shqipëria është e vetmja ekonomi në Ballkanin Perëndimor, me gjysmën e fuqisë punëtore në sektorin e prodhimit që rezultojnë të jenë femra.

Nga ana tjetër, sektori agroushqimor i Shqipërisë shquhet me rritjen më të shpejtë të punësimit, mesatarisht 7.8% në vit që nga viti 2010, me rritje vjetore të produktivitetit të punës prej 0.8%. Shqipëria vlerësohet me normën më të lartë të rritjes së pagave mesatare, që tejkalon 5% në vit, duke sinjalizuar përmirësime të fuqishme në kompensimin e punëtorëve.

Edhe për sa i takon industrisë së përpunimit të metaleve, Shqipëria dhe Serbia klasifikohen si në rritje, me kapacitete prodhimi relativisht më të ulëta, por me norma rritjeje premtuese. Shqipëria, në veçanti, shfaq një potencial të rëndësishëm, pasi përmirësimet e fundit sugjerojnë një trajektore në rritje në zhvillimin e përpunimit të metaleve.

Referuar të dhënave të raportit, për disa ekonomi të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, industria e tekstilit dhe e veshjeve është një shtyllë kryesore e sektorit të prodhimit, e cila i shërben edhe tregjeve evropiane.

Pavarësisht perfomancës në rritje, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal nënvizon se Shqipëra duhet të bëjë më tepër për sa i përket forcimit të kapaciteteve të prodhimit dhe eksporteve në tregjet botërore.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat