Shqipëria Postuar më 4 Korrik 2025, 15:39

Sa duhet të jenë komisionet në bankomate? - Tafa: Ulja e tyre do të reduktojë ndjeshëm kostot e qytetarëve

Nga Ledina Elezi

Sa duhet të jenë komisionet në bankomate? - Tafa: Ulja e tyre do

Së fundmi, Autoriteti i Konkurrencës ndërmori një hetim ndaj shërbimeve që ofrojnë bankat në ATM. Nga hetimi, nuk u konstatuan praktika që cenojnë konkurrencën, megjithatë ekziston një nivel i ulët transparence mbi komisionet, mungesë e harmonizimit për komisionet e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, si dhe problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve.

Në një intervistë për Televizionin Scan, pedagogia Besarta Tafa u ndal në komisionet që aplikojnë aktualisht bankat dhe se sa duhet të jenë ato në vijim.

“Këto komisione aplikohen në tërheqjet që ndodhin me kartë jashtë rrjetit të bankës, që do të thotë jo në bankën së cilës karta i përket. Nga të dhënat e fundit, këto komisione variojnë nga 1% deri në raste më të larta se 2% ose 3%, ose në terma fikse mund të variojnë nga 100 deri në 300 lekë për tërheqje”, u shpreh Tafa.

Sipas saj, ulja e komisioneve deri në 50 lekë do të reduktojë ndjeshëm kostot e qytetarëve, por do të rrisë edhe të ardhurat e bankave në periudhën afatgjatë.

“Bazuar në parimin e kostos së drejtë për transaksionet financiare, gjithashtu dhe në praktikat e zbatuara në rajon dhe në vendet evropiane, kjo kosto nuk duhet t'i kalojë 50 lekë për tërheqje. Kjo do të bëjë të mundur që barra e qytetarëve të zvogëlohet ndjeshëm, nga ana tjetër, kjo do të rrisë fluksin e veprimtarisë bankare të tërheqjeve që në afatgjatë përkthehet në të ardhura më të larta për bankat nga veprimtaria e tërheqjes nga bankomati, edhe pse për afatshkurt, kjo do të sjellë një  zvogëlim të të ardhurave të bankës nga komisioni. Por në terma të përgjithshme do të rrisë transparencën, si edhe do të bëjë të mundur që të kemi një konkurrencë të ndershme.”

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në katër muajt e parë të vitit janë kryer 7.2 milionë veprime për tërheqje parash në bankomate dhe 110 mijë për depozitime.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat