Shqipëria Postuar më 17 Dhjetor 2024, 13:25

Sa borxh të brendshëm do marrë qeveria në 2025? - Emetohen 356.40 mld lekë tituj qeveritarë. Obligacione 20-vjeçare si testim tregu

Nga Ledina Elezi

Sa borxh të brendshëm do marrë qeveria në 2025? - Emetohen

Huamarrja e brendshme, e thënë ndryshe emetimi i titujve qeveritarë, si bonot e thesarit dhe obligacionet, pritet të financojë rreth 73.47% të deficitit buxhetor në 2025. Shpenzimet e qeverisë i kanë tejkaluar të ardhurat me 68.05 miliard lekë, ku 50 miliard lekë do të mbulohen vetëm përmes huamarrjes së brendshme.

Sipas Planit Vjetor të Huamarrjes të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2025 pritet të maturohen në total rreth 306.41 mld lekë, prej të cilave 197.34 mld lekë bono thesari dhe 109.07 mld lekë obligacione. Bonot e thesaritt 12-mujore është instrumenti me maturimet më të lartë

Muajt me shumën më të lartë të maturimeve të borxhit shtetëror pritet të jenë janar-shkurt 2025, specifikisht me rreth 55.77 mld lekë dhe 43.45 mld lekë, ku maturimet më të larta i referohen instrumentave bono thesari 12-mujore dhe obligacione referencë 3-vjeçare, respektivisht 39.21 mld lekë dhe 19.39 mld lekë.

Për vitin 2025, referuar preferencave dhe qëndrimit të investitorëve, kryesisht fondeve të pensionit, Ministria e Financave do të emetojë një instrument të ri afatgjatë obligacione 20-vjeçare si testim tregu. Ky instrument do të emetohet në muajin janar dhe qershor, dhe do të rihapet në muajin mars dhe shtator.

Totali i emetimeve pritet të jetë rreth 356.40 mld lekë gjatë vitit 2025. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë pritet të jetë sërish bono thesari 12-mujore.

Ashtu siç është lajmëruar më herët, gjatë vitit të ardhshëm parashikohet emetimi i një eurobond i ri, i shtati në historinë e Shqipërisë, i cili do të ketë një vlerë prej 600 milion eurosh ose e thënë ndryshe 65 miliardë lekësh.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat