Shqipëria Postuar më 5 Janar 2026, 12:58

Rrugë lidhëse Tiranë-Elbasan/ Trafiku, ARRSH bën gati tenderët me fond limit 5.84 mld lekë

Nga SCAN TV

Rrugë lidhëse Tiranë-Elbasan/ Trafiku, ARRSH bën gati

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë gati 2 tenderë për ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin 8. Projekti synon ndërtimin e një segmenti që nis pa mbërritur te rrethrrotullimi i Bradasheshit dhe përfundon në afërsi të ish-Metalurgjikut, duke bërë lidhjen e autostradës me korridorin 8.  

Ky segment i ri synon lehtësimin e trafikut që krijohet në hyrje-daljet e autostradës Tiranë – Elbasan, një segment tejet problematik.

Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara pranë Agjencisë së Prokurimit Publik ndërtimi do të ndahet në 2 kontrata. Kontrata për lotin I do të ketë një fond limit prej 3.34 mld lekë, ndërsa për lotin II, 2.5 mld lekë, me një total prej 5.84 mld lekë.

Më herët, autoritetet kanë deklaruar se synimi është që ky segment të jetë gati për qarkullimin e automjeteve verën e këtij viti.  Ky është një segment i ndryshëm nga bypass-i Elbasanit, që është një aks i rëndësishëm, në drejtim të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, pasi lidh 2 arteriet e korridorit 8 që aktualisht janë në ndërtim.

Autoritetet e ndajnë në 3 faza realizimin e këtij projekti: fazën nga Elbasani deri në daljen e re kufitare pra në urën e Bushtricës, bypass-i i Elbasanit që është faza e dytë dhe faza e tretë nga Elbasani në drejtim të Rrogozhinës. Kosto për ndërtimin e bypass-it të Elbasanit përllogariten në 22.3 mld lekë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat