Shqipëria Postuar më 26 Shkurt 2025, 14:25

Rruga Fier – Vlorë – Darzezë, në rikonstruksion - Lidhet kontrata 1.52 mln euro, BERZH: Ndikon në zhvillimin e turizmit të aventurës

Nga Ola Mitre

Rruga Fier – Vlorë – Darzezë, në rikonstruksion -

Segmenti rrugor nga rrethrrotullimi i Sop-it deri në Urën e Darzezës do i nënshtrohet rikonstruksionit, teksa qëllimi është përmirësimi i asesueshmërisë dhe infrastrukturës së turizimit të aventurës. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka njoftuar nënshkrimin e kontratës me vlerë 1.52 mln euro, teksa punimet do të zbatohen nga kompania Salillari. 

Rruga ndodhet në zonën e Semanit dhe fillon në kryqëzimin me Rrugën Kombëtare Fier - Vlorë, rrethi Apollonia, vazhdon përgjatë segmentit rrugor Hoxharë dhe përfundon në Urën e re të Darzezës.

Gjatë hapjes së procedurës tenderuese BERZH e përshkruante rrugën ekzistuese me kushte shumë të këqija për faktin se nuk është bërë asnjë investim gjatë dekadave të fundit. “Rruga që do të rehabilitohet është e shtruar me çakull dhe në të vërehen gropa të mëdha. Vihet re se në të gjithë gjatësinë e saj shoqërohet nga një kanal i madh kullues në anën e majtë. Gjerësia e trupit të rrugës ekzistuese varion nga 3 në 6 m”, - thuhej ndër të tjera në dokumentet e tenderit.

“Qëllimi i investimit është përmirësimi i aksesit dhe lidhjes së rrugës kombëtare Fier - Vlorë me zonën bregdetare të Darzezës, si një nga vendet kryesore turistike të Bashkisë Fier”, - shtohej më tej.

Ndërhyrjet në këtë aks rrugor janë pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri, që financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për qeverinë shqiptare. Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat