Shqipëria Postuar më 5 Gusht 2025, 10:42

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, 378 mln lekë për shpronësimet - Korridori VIII, kompensimi i pronarëve lejon mbylljen e punimeve në lotin 4

Nga Ola Mitre

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, 378 mln lekë për shpronësimet

Rreth 378 mln lekë është fondi i shpronësimeve për pronarët që preken nga ndërtimi i aksit rrugor Elbasan– Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII. Lista me pasuritë që do të kompensohen për lotin 4 është publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërsa specifikohet se afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve. Ndërkaq, për të përfituar pronarët që janë pjesë e listës, duhet të paraqesin dokumentacionin justifikues për likujdim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

Me përmbylljen e procesit të shpronësimit të pronarëve i hapet rruga përfundimit të punimeve në këtë segment rrugor, ku aktualisht është duke u punuar në disa faza.

Më konkretisht në drejtimin nga Elbasani në Qafë – Thanë punohet në 8 lote me një gjatësi prej 26 km, teksa ecuria e secilit prej tyre është e ndryshme. Më e avancuar është faza e parë, që është hapur për qarkullimin e automjeteve, teksa deri pak muaj më parë ecuria në lotet 2- 5 varionte nga 36%, në 70%.

Pjesë e korridorit VIII është edhe bypassi-i i Elbasanit, ku punimet nuk kanë nisur ende, ndërkohë që janë edhe 6 lote të tjerë në drejtimin nga Elbasani në Rrogozhinë, ku aktualisht punohet.  Këto lote nisin pranë ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit në drejtim të Lekajt, ku bëhet bashkimi me autostradën Adriatiko – Joniane.

Korridorit 8 do të lidhë portet e Italisë, me portet e Varnës dhe Burgasit në Bullgari duke kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në territorin shqiptar ai shtrihet në rreth 154 km.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat