Shqipëria Postuar më 14 Mars 2025, 17:44

Rruga e Arbrit, inaugurohet Tuneli i Murrizit-Balluku: I blinduar në hekur. Në prill përfundon edhe segmenti Maqellarë-Peshkopi

Nga Ledina Elezi

Rruga e Arbrit, inaugurohet Tuneli i Murrizit-Balluku: I blinduar në hekur.

Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kanë inauguruar sot Tunelin e Murrizit, veprën e fundit të “Rrugës së Arbrit”. Në ceremoni morën pjesë qindra qytetarë, ndërsa që prej mëngjesit janë zhvilluar një sërë aktivitetesh në hyrje të tunelit.

Zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh se tashmë të dy tubat, ai i trafikut dhe emergjencës, janë plotësisht operacionalë. Ndryshe nga Llogaraja, Tuneli i Murrizit është komplet i blinduar në hekur.

“Është plotësisht i përfunduar, në të gjithë komponentët e tij, domethënë edhe ana ndërtimore dhe elektromekanike, gjithçka është funksionale. Kemi bërë testet mbrëmë deri natën vonë. Nga ana tjetër, edhe trupa e policisë rrugore e ka marrë tashmë detyrën për monitorimin. Gjithashtu, këtu ndodhen të vendosura njësitë e zjarrfikësve dhe gjithçka është ashtu siç duhet.

Në krahun tonë të djathtë kemi tunelin paralel, që është tuneli i emergjencës. Sipas kodit rrugor, çdo tunel mbi 500 metra ka nevojë që të ketë tunel emergjence, ka 11 hyrje-dalje tuneli i emergjencës, gjithçka është sipas parametrave. Në tunelin e emergjencës vazhdohet me disa punime të fundit, por ndërkohë që janë të dy operacionalë. Nuk parashikohet që të ketë asnjë ndërprerje më të trafikut, duke qenë se siç jeni ju në dijeni e kemi mbajtur deri në detaj të fundit të mbyllur, sepse ky tunel ka pasur vështirësitë e tij duke nisur nga gjeologjia, projektimi dhe gjithçka tjetër. Por, mund të themi që është një nga pjesët e krenarisë së infrastrukturës shqiptare, padyshim. Është një vepër arti, duke qenë se tuneli është i gjithi i blinduar plotësisht në hekur, përndryshe nuk do të qëndronte. Pra ne në këto momente nuk po kalojmë në një tunel të gërmuar, si në rastin e Llogarasë, por po kalojmë në një tunel i cili është i blinduar i gjithi në hekur”.

Ndërkohë, Kryeministri Rama theksoi se për pak javë, në muajin prill, do të përfundojë edhe segmenti Maqellarë-Peshkopi.

Me hapjen e Tunelit të Murrizit, rruga nga Tirana në Dibër do të përshkohet për maksimumi 2 orë. Tuneli ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat