Shqipëria Postuar më 16 Qershor 2026, 13:16

Rruga dytësore do të rehabilitohet - Bashkia e Tiranës, tender me fond limit rreth 595 mln lekë deri te mbikalimi i Kasharit

Nga Ernilda Luzi

Rruga dytësore do të rehabilitohet - Bashkia e Tiranës, tender me

Bashkia e Tiranës ka shpallur hapjen e garës për rikonstruksionin e aksit dytësor Tiranë-Durrës, deri te mbikalimi i Kasharit. Fondi limit i përllogaritur për këtë investim arrin vlerën prej 594 milionë e 907 mijë lekë. 

Aksi dytësor nis nga rrethrrotullimi te spitali Hygea dhe përfundon te mbikalimi i Rinasit, në afërsi të Megatek. Në krahun e djathtë të saj rruga akseson objekte të shumta industriale dhe disa fshatra si: Laknas, Domje, etj.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky aks rrugor ka një gjatësi totale prej rreth 6.839 metra linearë dhe karakterizohet nga një karrexhatë me dy korsi, secila me gjerësi 3.25 metra. Ky projekt parashikon që aksi do të trajtohet me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës moderne rrugore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone. Ndërhyrjet do të përfshijnë konkretisht ndërtimin e shtresave rrugore, trotuareve, ndriçimin, kanalizimet e ujërave të bardha, gjelbërimin dhe sinjalistikën.

Referuar dokumentit, rruga ka një rëndësi shumë të lartë për qytetin e Tiranës pasi përveçse shërben për aksesimin e bizneseve dhe fshatrave, shërben po ashtu edhe për lirimin e trafikut në raste piku. Pra, të gjitha automjetet që hyjnë nga jugu i vendit apo dalin nga Tirana kanë një opsion kalimi në këtë aks, në rast trafiku të rënduar. Dhe po kështu ka çdo ditë numër më të lartë të kalimit të makinave, për shkak të rritjes së banimit të zonës me ndërtesa rezidenciale dhe kjo ka rritur edhe më shumë nevojën për ndërhyrje në infrastrukturë.

Në dokument theksohet se nga inspektimet në terren janë evidentuar një sërë problematikash në gjendjen ekzistuese të rrugës. Në disa segmente, shtresat asfaltike paraqiten të dëmtuara, me gropa, ndërsa në zona të tjera vihen re çarje sipërfaqësore të asfaltit. Gjithashtu, trotuaret aktuale janë të realizuara me beton të varfër dhe nuk përmbushin standardet e kërkuara për një infrastrukturë urbane funksionale dhe të sigurt.

Ndërkohë, do të ndërhyhet edhe në sistemin e kanalizimeve ekzistuese, ku parashikohet shtimi i disa pusetave të reja ndërmjet segmenteve ekzistuese, me qëllim rritjen e eficencës dhe parandalimin e përmbytjeve gjatë reshjeve.

Ky projekt synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë për përdoruesit e saj, si dhe lehtësimin e trafikut, thuhet në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat