Shqipëria Postuar më 7 Prill 2025, 13:28

Rrjeti i bankave u zgjerua me 11 degë të reja - BSH: Numërohen rreth 400 në të gjithë vendin. Me rritje edhe pikat e këmbimit valutor

Nga Ledina Elezi

Rrjeti i bankave u zgjerua me 11 degë të reja - BSH: Numërohen

Në vitin që lamë pas, rrjeti i bankave në Shqipëri është zgjeruar me 11 degë të reja. Kjo shtrirje më e gjerë e bankave në territor, rrit edhe më tepër përfshirjen financiare dhe aksesin e qytetarëve në shërbime bankare, megjithëse ato vijojnë të mos jenë prezente në shumë zona rurale. Gjithsej, në gjithë territorin e vendit ushtrojnë veprimtarinë 400 degë bankash.

Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, në 2024 rezulton të jetë mbyllur vetëm një degë banke. Megjithatë, nëse bëjmë një krahasim me vitin pararendës, rezulton të jetë shtuar mbulimi territorial i bankave me degët e tyre. Banka e Shqipërisë miratoi zgjerimin e rrjetit të bankave me vetëm 1 degë të re brenda Shqipërisë dhe 1 degë të re jashtë territorit të vendit tonë në 2023.

Që prej 2021, në Shqipëri vijojnë të mbeten 11 banka, ndërsa vitin e kaluar pati një kërkesë dhe shfaqje interesi nga banka bujqësore turke Ziraat për t'u bërë pjesë e tregut shqiptar dhe për të hapur degën e saj të parë në Tiranë. Sektori bankar vazhdon të mbizotërohet nga prania e filialeve të grupeve të huaja bankare, me origjinë të kapitalit kryesisht nga BE-ja.

Nga ana tjetër, në fund të vitit ushtronin veprimtaritë financiare 37 subjekte financiare jobanka (përfshirë dhe institucione financiare të mikrokredisë), institucione të pagesave dhe institucione të parasë elektronike. Numri i subjekteve financiare jobanka ka rënë nga 39 që ishte më parë, si pasojë e heqjes së licencës së 2 subjekteve.

Për sa i përket zyrave të këmbimit valutor, janë licencuar 46 zyra të reja të këmbimit valutor dhe iu revokua licenca 25 zyrave ekzistuese. Në total, në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin 642 zyra të këmbimit valutor.

Gjithashtu, mbështetur në aplikimet e paraqitura, Banka e Shqipërisë miratoi ushtrimin e veprimtarisë financiare shtesë (shërbimi i inicimit të pagesës dhe shërbimi i informimit të llogarisë) të 1 institucioni të parasë elektronike. Ndërkohë, numri i shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre vijon të mbetet njësoj.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat