Shqipëria Postuar më 24 Tetor 2025, 09:44

Rrjeti elektrik i Sarandës drejt modernizimit - OSSH, investim 129 milionë lekë për përmirësimin e furnizimit

Nga Ernilda Luzi

Rrjeti elektrik i Sarandës drejt modernizimit - OSSH, investim 129

Drejtoria Rajonale e OSSH Gjirokastër ka shpallur hapjen e tenderit, për zhvillimin e rrjetit të tensionit të mesëm 20 kv; rrjet tension i ulët në fiderat 3.6 në Sarandë, si dhe ndërtimin e kabinave të reja elektrike. Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë projekt është 129 milionë e 633 mijë lekë.

Ky investim parashikon projektimin, ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës në zonën e Çukës, që furnizohet me energji elektrike nga nënstacioni 110/20 kV Sarandë.

Sipas relacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, zona e Çukës përbën një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik, dhe së fundmi po përjeton një zhvillim intensiv urban dhe ndërtimor. Këta faktorë kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, duke tejkaluar kapacitetet aktuale të rrjetit shpërndarës. Për këtë arsye, është e domosdoshme ndërhyrja me rikonstruksion dhe shtim të kapaciteteve të infrastrukturës elektrike, në mënyrë që të garantohet një shërbim cilësor për konsumatorët ekzistues dhe të përmbushen kërkesat e pritshme afatgjata të zonës. Qëllimi është realizimi i një zgjidhjeje teknike të qëndrueshme, me standarde të larta.

Nga ana tjetër, do të ndërtohen 6 kabina të reja elektrike, si dhe linja e tensionit të mesëm dhe të ulët. Këto ndërhyrje janë pjesë e zgjatimit të fiderit nga nënstacioni 110/20 kV Sarandë, me qëllim përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit në zonat me zhvillim të lartë. Ndërkohë, konsumi në zonë përfaqësohet nga konsumatorë ekzistues familjarë dhe biznese.

Ky projekt synon ndër të tjera edhe normalizimin e ngarkesave në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët, thuhet në dokument.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat