Shqipëria Postuar më 12 Mars 2026, 10:51

Rritje e fortë e Airbnb në Shqipëri, gati 23 mijë prona aktive/ Listimet janë rritur me 70% që nga viti 2022, Tirana kryeson tregun

Nga Eldiona Serani

Rritje e fortë e Airbnb në Shqipëri, gati 23 mijë prona

Një studim i publikuar nga Investropa tregon se tregu i qirave afatshkurtra në Shqipëri po zgjerohet me ritme të shpejta. Që në nisje të 2026-ës, në vend numëroheshin deri në 23,000 listime aktive në platformën Airbnb. Shumica e tyre ishin të përqendruara në Tiranë, si dhe përgjatë qyteteve bregdetare si Vlorë, Durrës dhe Sarandë.

Sipas analizës, numri i listimeve është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Krahasuar me vitin 2023, ofertat janë rritur me gati 40%, ndërsa në raport me vitin 2022 rritja kalon 70%. Kjo tregon se gjithnjë e më shumë pronarë po i drejtohen qirave afatshkurtra, ndërsa fluksi i turistëve që vizitojnë Shqipërinë vazhdon të rritet nga viti në vit.

Studimi vlerëson se shkalla mesatare e zënies për pronat në Tiranë është rreth 48%, që do të thotë se një apartament tipik pret mysafirë pothuajse gjysmën e netëve të vitit. Në shumicën e rasteve, zënia luhatet nga 35% deri në 58%, ndërsa pronat me performancën më të mirë mund të arrijnë edhe mbi 65%. Edhe pse ky nivel është pak më i ulët se në disa destinacione të njohura të Evropës Perëndimore, Tirana konsiderohet konkurruese në rajonin e Ballkanit, duke reflektuar zhvillimin e shpejtë të turizmit dhe infrastrukturës turistike në Shqipëri.

Në Tiranë, çmimet për një natë ndryshojnë ndjeshëm nga një zonë në tjetrën. Në zona më periferike si Kamëz çmimet mund të nisin nga rreth 25 euro për natë, ndërsa në zonat më të kërkuara të qytetit si Blloku mund të arrijnë deri në 85 euro. Ndër zonat me çmimet mesatare më të larta për natë përfshihen Blloku, zona e Sheshi Skënderbej dhe Pazari i Ri, ku çmimet lëvizin përgjithësisht nga 60 deri në 85 euro për natë.

Në anën tjetër, zonat me çmime më të përballueshme mbeten Kamza, Lapraka dhe Kinostudio, ku çmimet zakonisht variojnë nga 25 deri në rreth 42 euro për natë. Megjithatë, edhe këto zona vazhdojnë të kenë kërkesë, sidomos nga turistët që kërkojnë qëndrime më të gjata ose alternativa më ekonomike kur opsionet në qendër janë të rezervuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat