Shqipëria Postuar më 26 Prill 2025, 10:36

Rritja e sigurisë së 431 digave - BB: 1.6 mln USD për studimin e fizibilitetit, miratimi në fund të majit

Nga Ola Mitre

Rritja e sigurisë së 431 digave - BB: 1.6 mln USD për studimin e

Banka Botërore pritet të investojë në sigurinë e digave në Shqipëri, teksa njoftoi se në fund të majit parashikon të miratojë një fond prej 1.6 mln USD, që do të përdoret për hartimin e studimeve paraprake të fizibilitetit për 431 diga ekzistuese.

Sipas dokumenteve të publikuara më herët, qëllimi i përgjithshëm është zbulimi dhe adresimi i rreziqeve që mbart infrastruktura aktuale e digave, me fokus në rritjen e kapacitetit të depozitimit të ujit të rezervuarëve për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo pasi, përmirësimi i sistemeve të ujitjes mund të kontribuojë më shumë në menaxhimin efikas dhe të qëndrueshëm të ujit, në një kohë që burimet ujore janë të rrezikuara nga ndryshimi i klimës.

Në mënyrë të veçantë, projekti synon të përgatisë terrenin për rritjen e sigurisë dhe kapacitetit mbajtës të digave për ujitjen e 180,000 ha tokë bujqësore, kryesisht të vendosura në pjesën perëndimore bregdetare të Shqipërisë nga Shkodra në Vlorë, që do të mundësonte 200,000 ferma të rrisin rendimentet dhe të ardhurat.

Më pas, rehabilitimi dhe modernizimi i digave, si dhe përmirësimi i sigurisë së tyre do të përfshijë vlerësimin hidrologjik, forcimin strukturor dhe përmirësimin e ruajtjes së ujit në rezervuarë, menaxhimin e sedimenteve, modernizimin e kontrollit dhe monitorimit dhe masa të tjera që do të përmirësonin sigurinë dhe funksionimin e digave.

Sipas Bankës Botërore, rritja e sigurisë së digave do të siguronte përfitime socio-ekonomike dhe mjedisore në Shqipëri, ndërkohë që zbatues i projektit është Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat