Shqipëria Postuar më 21 Gusht 2025, 12:45

Rritja e konsumit mbushi arkën e shtetit - 7-mujori, 301 milionë euro më shumë në buxhet

Nga Elisabeta Dosku

Rritja e konsumit mbushi arkën e shtetit - 7-mujori, 301 milionë euro

Buxheti i shtetit ka arkëtuar 432,7 miliardë lekë në 7-mujorin ë parë të vitit duke regjistruar një rritje me afro 30.1 miliardë lekë apo 301 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat nga tatimet dhe doganat u regjistruan në 287 miliardë lekë, me një rritje prej 25.25 miliardë lekë.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar bruto si tregues i konsumit në vend por edhe importeve, regjistrohet në 143,3 miliardë lekë, me një kapërcim prej 21.1 miliardë lekë në raport me janar-korrik 2024.

Ndërsa rimbursimet për këtë periudhë arritën në 13 miliardë lekë.

Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri që ka pasur ecuri të mirë për shkak të fushatës antiinfomalitet dhe nëndeklarimit të pagave, duke bërë që arkëtimet të  arrijnë në 48.2 miliardë lekë  me një rritje prej 10.1 miliardë lekë në krahasim me 7 mujorin 2024.

Të ardhurat nga Fondet Speciale u realizuan në vlerën e 104,2 miliardë lekë, me rritje prej 11.8 miliardë lekë.  Nga tatim-fitimi u arkëtuan 37 miliardë lekë dhe nga taksat nacionale 27 miliardë lekë, zëra këto që kanë pësuar një rritje të lehtë në raport me vitin e kaluar.

Të ardhurat nga akciza arritën në 39 miliardë lekë ndikuar kjo nga volumi i shtuar i importeve sa i takon mallrave të akcizës, si karburant, birrë, kafe dhe cigare.

Ndërsa pushteti vendor ka mbledhur rreth 22,7 miliardë lekë, duke mos pasur perfomancë pozitive, pasi të ardhurat janë në rreth 1.8 miliardë lekë më të ulëta në raport me një vit më parë.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 7-mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 41,9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë rezultoi në 8.3 miliardë lekë më shumë. Në raport me planin vjetor realizimi është në masën 26%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat