Shqipëria Postuar më 22 Mars 2026, 10:31

Rritja e çmimit të karburantit/ Rama: Ulet akciza 20%. Nuk lejojmë abuzimet për të mbushur disa xhepat

Nga Alida Lula


 

Në kohën kur për konsultim publik është projektligji për rezervat strategjike,
në shënimet e javës, kryeministri Rama, ka folur sërish për masat për të luftuar abuzimet me çmimim e karburanteve.
Në një kohë jashtëzakonisht të ndërlikuar në rang global, që ka impaktuar drejtpërdrejt të gjithë zinxhirin e furnizimit të karburantit dhe që reflektohet në mënyrë agresive në rritjen e çmimit të naftës, Rama ka thënë se 'kriza' nuk do lejohet për spekulime me çmimet. Ai theksoi se krahas rikthimit të Bordit të Transparencës,
është marrë edhe një vendim tjetër për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %.

''Është masë e përkohshme, që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, në mënyrë që të lehtësohet disi barra mbi përdoruesit e automjeteve. Por ndërkohë, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët.
Në të njëjtën kohë, ne po ecim me shpejtësi nga njëra anë për projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik. Është një proces i nisur përpara se të fillonte kjo krizë e re, që lidhet me humbjen e baraspeshës së botës në rang global, gjë e cila po provokon kriza pas krizash. Dhe nga ana tjetër, paralelisht, ne po përgatitemi që të fusim në treg një faktor publik, një forcë të re, e cila do të ketë barren, që së bashku me një sërë masash tjera të bëjë një ndërhyrje domethënëse në vendosjen, jo vetëm të një ekuilibri në aspektin të çmimit në tregun e naftës, por edhe të një niveli krejt të ri përsa i përket transparencës së atij tregu, përsa i përket lëvizjeve të naftës në Republikën e Shqipërisë dhe përsa i përket edhe një fenomeni ende të pashterur në këtë aspekt, që është evazioni dhe kontrabanda e naftës, duke përfituar edhe nga regjimi tranzit dhe duke bërë marifete të cilave ju ka ardhur fundi.
Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë që në një periudhë,jo shumë të largët, do të tregojmë me fakte, që ndërhyrja ka qenë një ndërhyrje në të mirë të shoqërisë, në të mirë të përdoruesve të automjeteve të konsumatorëve të naftës, po mbi të gjitha, në të mirë të të gjithë atyre që nuk ndotin dhe nuk ia kanë për borxh atyre që ndotin, duke ngarë makina me naftë që në ndërkohë të paguajnë një pasojë, të cilës ne duam t’i japim fund''- tha Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat