Shqipëria Postuar më 27 Gusht 2026, 11:42

Rritet tatimi i paguar mbi qiratë dhe pagat - 613 milionë euro në 7 muaj. 17% më shumë krahasuar me 2025-ën

Nga Elisabeta Dosku

Rritet tatimi i paguar mbi qiratë dhe pagat - 613 milionë euro në

Taksimi i punës dhe qirave afatshkurtër, apo afatgjatë, ka sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit gjatë 7 muajve të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, qytetarët shqiptarë kanë “ndarë” nga të ardhurat e tyre personale në formën e tatimit, rreth 56.6 miliardë lekë, ose afërsisht 613 milionë euro.

Peshën më të madhe në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale, e përbën tatimi mbi pagat dhe të ardhurat e tjera, përfshirë ato nga qiratë afatgjata dhe platformat e akomodimit si “Airbnb” dhe “Booking”.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga ky zë janë rritur me 8,3 miliardë lekë apo 17.3%, më shumë se 7 mujori i vitit 2025 si dhe 0.8 % mbi planifikimin e bërë.  Ndërsa vetëm gjatë muajit Korrik janë mbledhur 9 miliardë euro.

Ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2016, kur të ardhurat regjistroheshin në 19 miliardë leke, ka pasur një trefishim.

Sipas administratës tatimore, kjo rritje lidhet ngushtë me përmirësimin e formalizimit në ekonomi dhe rritjen e deklarimit të të ardhurave. Fushatat kundër informalitetit, veçanërisht ato që synuan nën-deklarimin e pagave gjatë vitit 2025, duket se kanë ndikuar në ndryshimin e sjelljes së bizneseve.

Po ashtu, vendosja e pagave referencë në sektorë me nivel të lartë informaliteti, si turizmi, ndërtimi dhe shëndetësia, ka sjellë rritje të pagave të deklaruara dhe, për rrjedhojë, edhe të detyrimeve tatimore. Ndikim kanë pasur edhe rritjet e pagave në administratën publike gjatë dy viteve të fundit, si dhe rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Një tjetër faktor që ka kontribuar është zgjerimi i tregut të qirave, sidomos atyre afatshkurtra të lidhura me zhvillimin e turizmit. Shtimi i pronave të listuara në platformat online ka rritur të ardhurat e individëve dhe njëkohësisht edhe nivelin e tatimit të paguar. Ndërkohë që paralelisht po zbatohet plani operacional antiinfomalitet në këtë sektor, çka ka sjellë dhe identifikimin e shmangieve, si dhe rritjen e deklarimeve.

Tatimi që duhet të bëjnë individët mbi këto të ardhura është 15 për qind dhe po aq aplikohet mbi qiratë afatgjatë. Në totalin e arkëtimeve nga TAP përfshihen edhe të ardhurat nga interesat bankare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat