Shqipëria Postuar më 4 Gusht 2026, 11:30

Rritet siguria mbi mishin e importuar dhe vendas - Forcohen rregullat për tregtimin dhe përdorimin e produkteve veterinare tek kafshët

Nga Elisabeta Dosku

Rritet siguria mbi mishin e importuar dhe vendas - Forcohen rregullat për

Qeveria do të forcojë rregullat për tregtimin, prodhimin, importin, eksportin, furnizimin, shpërndarjen, kontrollin dhe përdorimin e produkteve mjekësore veterinare, si dhe për monitorimin e sigurisë së tyre pas futjes në treg, si detyrim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Përcaktimi i kërkesave të qarta për cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e këtyre produkteve synon të kufizojë rreziqet që mund të shkaktohen ndaj shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik.

Konkretisht,  projektligji  i hedhur për konsultim publik krijon një data bazë qendrore të farmakovigjilencës dhe krijon premisat që kjo data bazë të komunikoje dhe me atë europiane, duke ngritur kështu një data bazë të vetme të farmakovigjilencës për të gjitha produktet mjekësore të autorizuara në vend dhe në BE  .

Sipas draftit, çdo produkt duhet të identifikohet në mënyrë të përhershme deri në nivelin e madhësisë së kutisë, duke luftuar falsifikimin.

Projektligji krijon mundësinë e vlefshmërisë së pakufizuar për Autorizimin e tregtimit duke hequr kufizimin e mëparshëm sipas të cilit një produkt Mjekësor veterinar nuk hidhej në treg brenda 3 viteve nga marrja e Autorizimit të tregtimit ose hidhej në treg për 3 vite rresht, autorizimi i tregtimit humbiste vlefshmërinë.

Projekt ligji unifikon gjithashtu procedurat e kërkesës dhe lëshimit të autorizimit të tregtimit të produkteve mjekësore veterinare.

Drafti vendos detyrimin e regjistrimit dhe inspektimit edhe për prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit e lëndëve aktive në një bazë të dhënash.

Nga ana tjetër drafti përcakton edhe përcakton detyrimet për tregtarët me shumicë, rregullat për shitjen me pakicë dhe vlefshmërinë e recetave veterinare. Konkretisht  l legalizohet në vend shitja online e produkteve pa recetë, e mbrojtur nga një logo e përbashkët evropiane në faqet e autorizuara të cilat nuk janë subjekt i recetës veterinare dhe nuk përdoren në kafshët që prodhojnë ushqim. Vlefshmëria e një recete për antimikrobikët caktohet në një maksimum prej 5 ditësh nga data e lëshimit..

Përcaktohen gjithashtu rregullat mbi përdorimin e produktit mjekësor veterinar, vendosen kufizime për përdorim në kafshët prodhuese të ushqimit, rregulla për përdorim në raste përjashtimore (i quajtur "përdorimi kaskadë") si dhe ashpërsohen periudhat e pritjes për të garantuar sigurinë ushqimore.

Importi i kafshëve dhe mishit nga shtete të treta ndalohet nëse ato lejojnë substancat e ndaluara (si stilbenet). Kafshët e trajtuara për qëllime terapeutike (të dokumentuara) mund të tregtohen vetëm pasi të jetë respektuar koha e pritjes. Në draft i jepet rëndësi gjurmueshmërisë, duke përcaktuar se në certifikatat veterinare ose pasaportat e kafshëve duhet të shënohet çdo trajtim i kryer.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat